Kur Fan Noli i dërgoi nga SHBA Enver Hoxhës 20 thasë me miell

OLD, BUT GOLD nga ROLAND QAFOKU

Shqipëria pas Luftës së Dytë Botërore ishte në gjendje tejet të vështirë ekonomike. Përpos
mijëra të vrarëve dhe shtëpive të shkatërruara dhe të djegura, problemi kryesor ishte sigurimi i ushqimit për popullin. Në të gjithë vendin kishte pllakosur zia e bukës dhe qeveria e re e Enver Hoxhës jo vetëm nuk kishte mundësi reale për të menaxhuar situatën, por po zgjidhte rrugën e gabuar për të ndryshuar këtë gjendje. Edhe më e rëndë e bënte këtë situatë fakti që në Shqipëri po instalohej regjimi komunist dhe vendi po anonte dukshëm duke u bërë pjesë e kampit lindor duke u distancuar hapur nga Perëndimi. Linja që mbante kryeministri Hoxha ishte e tillë që vërtetë kërkonte që SHBA dhe Evropa ta njihnin qeverinë e tij dhe për këtë u lutej me përgjërim, por nga ana tjetër ai bëri çmos të mos kishte marrëdhënie korrekte me këto vende, veçanërisht me SHBA, misionin diplomatik të së cilës e përzuri në mënyrën më harbute nga territori shqiptar.
Ironia ishte që në kulmin e krizës së ushqimeve, Hoxha përzuri UNRRA-n që kishte sjellë
ndihma ushqimore për popullsinë e uritur, por që për Hoxhën kjo organizatë humanitare ishte pjesë e shërbimit sekret amerikan. Pra, nga njëra anë populli vuante për bukën e gojës dhe nga ana tjetër Hoxha tregohej fodull edhe kur i afronin ndihmë. Por, në këtë situatë, shqiptarët e Amerikës, të pamësuar me regjimin e ri u treguan naivë. Duke mësuar për gjendjen e vështirë, ata nisën të mblidhnin ndihma për Shqipërinë, veçanërisht ushqime në mënyrë që të ndihmonin sado pak në zbutjen e mungesave elementare. Spontanisht, por edhe në mënyrë të organizuar, shqiptarët e Amerikës në fillim menduan për të afërmit e tyre në Shqipëri duke u dërguar atyre kryesisht miell dhe kjo në sasi të vogla, nga 1 apo 2 thasë. Përjashtim bëri vetëm një: Fan Noli, figura më e madhe që ka nxjerr komuniteti shqiptar në SHBA. Ai i dërgoi personalisht Enver Hoxhës 20 thasë me miell në mënyrë që i pari i Shqipërisë të mos vuante për bukë dhe kishte mundësi që vetë të ushqehej. Dihej afeksioni i Nolit për komunizmin dhe instalimin e tij në Shqipëri dhe këtë ai nisi ta bënte me vepra. Por në adresë të Hoxhës nuk mbeti vetëm Fan Noli.
Të frymëzuar dhe ndikuar prej tij, të njëjtën gjë bën edhe Federata “Vatra” në Boston që dërgoi në adresë të Enver Hoxhës 198 thasë me miell. Pra, me 218 thasë miell gjithsej nga Noli dhe “Vatra”, të paktën vetë kryeministri Enver Hoxha dhe familja e tij kishin arritur të siguronin bukën e më shumë se një viti dhe kjo për kohën nuk ishte pak. Sot, ekskluzivisht për Priza.al po publikojmë një dokument të rrallë arkivor që bën fjalë pikërisht për këtë dërgesë nga SHBA drejt Shqipërisë dhe mban datën 14 korrik 1947. Shkresa është firmosur nga ministri i Tregtisë Gogo Nushi, anëtar i Byrosë Politike dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Enver Hoxhës. Nëpërmjet saj, Nushi njofton Ndërmarrjen e Tregtisë në Durrës për nisjen e një sasie mielli si ndihmë nga shqiptarët e Amerikës dhe që do transportohej me një anije jugosllave. Më tej ministri Nushi kujdesej që e gjithë sasia e dërguar të mbërrinte në portin e Durrësit dhe prej andej të shparndahej në destinacion. Në shkresë janë të evidentuar me numër rendor të gjithë emrat e dërguesëve të miellit bashkë me personat që u ishte dërguar, pra marrësit dhe adresat përkatëse të tyre. Veçohen dy të fundit me numër rendor 49 dhe 50 të cilët për dërgues kishin Fan Nolin dhe Federatën “Vatra” dhe për marrës kishin kryeministrin Enver Hoxha. Noli dërgonte 20 thasë dhe
“Vatra” 198 thasë.

Më poshtë po botojmë shkresën e ministrit të Tregtisë Gogo Nushi që bën fjalë për dërgesën e sasisë së miellit nga SHBA për në Shqipëri, në të cilën veçohet sasi e miellit e dërguar në adresë të Enver Hoxhës, dërguar nga Fan Noli dhe federate Vatra.

Republika Popullore e Shqipërisë
Ministria e Tregtisë
Dega e Tregtisë së Jashtme
Lënda: Mbi mbërritjen e një sasiue materiali, shoqërisë shqiptaro-jugosllave Import-Eksport
Tiranë
Ju njoftojmë se me avulloren “Radnik” me flamur jugosllav janë nisur prej Nevjorkut (New York) me drejtim në Fiume 318 thasë me miell prej të cilës sasi 100 thasë destinohen për privatë të ndryshëm, bazë listës këtu bashkangjitur të dërguar nga njerëzit e tyre që kanë në Amerikë dhe 218 thasë destinohen për nevojat e popullit. Materiali i sipërm sapo të njoftohemi se ka mbërritë në Fiume do të trasnportohen menjëherë dhe do të sillet në Durrës ku do tia dorëzoni Ndërmarrjes së Grumbullimit. Përsa i përket shpenzimeve të transportit, këto do të paguhen prej jush dhe më vonë në bazë të dokumenteve që do të paraqitni do tju likuidohen prej ndërmarrjes e cila do të amrrë në dorëzim mallin.
Njoftoni sa më parë mbërritjen e mallit në Fiume, ashtu dhe transportin e tij në Durrës.
Ministri i Tregtisë Gogo Nushi.

1. Kristo Kaçuni (Dërgonjës), Thasë miell, 2. Marrës: Petro Berishi, Dardhë, Albania.
2…
3. …..
…………..
49. Kryepeshkop Noli, 20 thasë miell. Marrësi: Kryeministër Enver Hoxha, Tiranë, Albania.
50. “Vatra”, 198 thasë miell.Marrësi: Kryeministër Enver Hoxha, Tiranë, Albania.

 

1. Dokumenti që tregon për njoftimin e ministrit të Tregtisë Gogo Nushi lidhur me dërgimin e një sasie me miell nga SHBA për ndihmë drejt Shqipërisë.
1. Dokumenti që tregon për njoftimin e ministrit të Tregtisë Gogo Nushi lidhur me dërgimin e një sasie me miell nga SHBA për ndihmë drejt Shqipërisë.


2. Enver Hoxha, kryeministër i Shqipërisë, 1947.
2. Enver Hoxha, kryeministër i Shqipërisë, 1947.
3. Fan Noli, peshkop në Kishën Ortodokse në Boston, Massachusetts, SHBA, në vitet 40-të.
3. Fan Noli, peshkop në Kishën Ortodokse në Boston, Massachusetts, SHBA, në vitet 40-të.

 

* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *