Kur nxirrej naftë dhe e gjitha distilohej në Shqipëri

OLD, BUT GOLD nga ROLAND QAFOKU

Lajmi se në malin e Shpiragut në Berat është zbuluar naftë, ka kaluar të gjitha parashikimet dhe pritshmëritë. E para lidhet me sasinë që pritet të nxirret dhe e dyta për cilësinë e lartë të kësaj nafte. Megjithatë për nëntokën shqiptare dhe veçanërisht në këtë zonë nxjerrja e naftës nuk është një gjë e re. Historia se në Shqipëri ka naftë nis që në vitin 1868 kur inxhinierë të huaj nxorën konkluzionin se nëntoka jonë mbante hidrokarbure. Por, vetëm në vitin 1905 gjeologu italian Alessandro Marteli u bë i pari që këtë fakt e nxori si një studim të mirëfillitë. Në vitin 1913 një grup gjeologësh po italianë nisën në tokën shqiptare një studim konkret në një territor kryesisht në zonën e Beratit. Shqipëria kishte vetëm një vit që kishte shpallur pavarësinë e megjithatë qeveria i “dha” lejen këtij grupi për të kryer studime në terren. Ndërkaq, gjatë Luftës së Parë Botërore teksa kishte nën administrim zonën e Vlorës, Italia dërgoi një grup gjeologësh posaçërisht për naftën. Dhe në vitin 1917, në Drashovicë ata nxorën për herë të parë naftë, moment që shënon edhe nisjen e industrisë së nxjerrjes së naftës në vendin tonë. Por gjithçka për nxjerrjen e naftës u ndërpre pas Luftës së Vlorës që largoi italianët nga Shqipëria. Megjithatë italianët mbetën “pronarë” të arit të zi në tokën shqiptare. Në vitin 1925 qeveria shqiptare i dha koncesion shoqërisë italiane ‘AIPA’ për shfrytëzimin e tokës shqiptare. Ishin pikërisht italianët që në vitin 1929 nxorën naftë në Kuçovë dhe vetëm atë vit sasia e nxjerrë arriti në 750 tonë. Kjo vijoi vit pas viti dhe rekordi u shënua në vitin 1934 në të cilin u nxorën 9240 tonë. Pas Luftës së Dytë Botërore regjimi komunist i dha përparësi industrisë së naftës të ndihmuar edhe nga Bashkimi Sovjetik. Nisi studimi dhe nxjerrja e naftës edhe në zonën e Patosit. Pas përvojës me rusët, e vërteta është se u krijua një grup shumë i aftë specialistësh dhe intesifikfikimi i kësaj industrie vërtetë dha rezultate. Sasia më e madhe e naftës në vendin tonë është nxjerrë në vitin 1974 me 2.25 milionë tonë naftë dhe rekordi i prodhimit të gazit i përket vitit 1982 me 940.000 metra kub (Burimi: Biberaj Elez, Shqipëria në tranzicion. Rruga e vështirë drejt demokracisë, Instituti i Studimeve Ndërkombëtare, Tiranë 2011, faqe 35). Megjithatë edhe me industrinë e naftës diktatori Enver Hoxha bëri politikën e tij gjaksore teksa shpiku edhe grupe armiqësore në këtë fushë duke arrestuar, dënuar dhe pushkatuar disa inxhinierë nga më të zotët në vend me akuza të stisura si sabotatorë. Ndonëse të një teknologjie jo të lartë në Shqipëri u ndërtuan disa kantiere të shpimeve për nxjerrjen e naftës. Por mund të quhet një lloj revolucioni që e gjithë nafta e nxjerrë përpunohej dhe distilohej në Shqipëri. Për këtë u ngritën e bashkë me të disa uzina në zonën naftëmbajtëse por ajo kryesorja që përbënte distilimin final ishte Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh. E përuruar në fillim të viteve 70-të ajo përpunonte të gjithë sasinë e naftës që nxirrej në Shqipëri dhe e përgatiste për shfrytëzim për automjetet dhe makineritë. Kjo uzinë siguronte marrjen e karburanteve nga uzinat në qytetet e Kuçovës, Cërrikut dhe Fierit dhe distilimin e tyre final. Përbëhej nga 10 impiante përpunimi dhe nxirrte nënprodukte si gaz, benzinë dhe gazoil. Sipas të dhënave të asaj kohe të marra nga Fjalori Enciklopedik Shqiptar, në këtë uzinë prodhoheshin 20 produkte të gatshme si gaz i thatë, gaz i lëngshëm, tretësa, benzinë, vajgur, gazoil, vaj solar, kok nafte dhe disa lëndë të para për industrinë kimike si benzen, toluen, ksilen, squfur, sulfur natriumi, përzjerrje hidrokarburesh të pangopura në gjendje të gaztë etj. (Burimi: Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, faqe 1142-1143). Sot, për priza.al po publikojmë disa fotografi të rralla për nxjerrjen dhe përpunimin e naftës në Shqipëri gjatë regjimit komunist.

Foto 1: Kopertina e revistës “Shkenca dhe Jeta”, numri i muajit maj i vitit 1973, e cila paraqet një pamje të plotë nga lart të Uzinës së Përpunimit të Thellë të Naftës në qytetin e Ballshit.
Foto 1: Kopertina e revistës “Shkenca dhe Jeta”, numri i muajit maj i vitit 1973, e cila paraqet një pamje të plotë nga lart të Uzinës së Përpunimit të Thellë të Naftës në qytetin e Ballshit.
Foto 2: Shkrimi i zgjeruar dhe i shoqëruar me fotografi në revistën “Shkenca dhe Jeta”, maj 1973.
Foto 2: Shkrimi i zgjeruar dhe i shoqëruar me fotografi në revistën “Shkenca dhe Jeta”, maj 1973.
Foto 3: Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës sipas Fjalorit Enciklopedik Shqiptar i vitit 1985, i botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë.
Foto 3: Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës sipas Fjalorit Enciklopedik Shqiptar i vitit 1985, i botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë.
Foto 4: Autoçisterna që dalin nga Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh pak kohë pas vënies në punë të kësaj uzine.
Foto 4: Autoçisterna që dalin nga Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh pak kohë pas vënies në punë të kësaj uzine.
Foto 5: Viti 1970. Pamje nga aktiviteti i Uzinës së Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh.
Foto 5: Viti 1970. Pamje nga aktiviteti i Uzinës së Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh.
Foto 6: Viti 1979. Pamje nga Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh.
Foto 6: Viti 1979. Pamje nga Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh.
Foto 7: Viti 1982. Pamje nga aktiviteti i Uzinës së Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh.
Foto 7: Viti 1982. Pamje nga aktiviteti i Uzinës së Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh.
Foto 8: Puse të nxjerrjes së naftës në zonën e Patosit.
Foto 8: Puse të nxjerrjes së naftës në zonën e Patosit.
Foto 9: Puse të nxjerrjes së naftës në zonën e Patosit.
Foto 9: Puse të nxjerrjes së naftës në zonën e Patosit.
Foto 10: Puse të nxjerrjes së naftës në zonën e Patosit.
Foto 10: Puse të nxjerrjes së naftës në zonën e Patosit.

 

* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *