Kur presidenti i SHBA Franklin Roosevelt, ftoi mbretin Zog në Shtëpinë e Bardhë në 1936

‘OLD, BUT GOLD’ nga ROLAND QAFOKU

Historia e vizitave të presidentëve amerikanë në Shqipëri dhe e personaliteteve shqiptare në SHBA nuk është e re. Madje ajo ka një histori afër 90-vjeçare. Gjithçka nis në korrik të vitint 1936 kur presidenti i 32-të i SHBA, Franklin Delano Roosevelt, ftoi zyrtarisht mbretin e shqiptarëve Zogu I të vizitonte Shtëpinë e Bardhë. Në arkivin e Ministrisë së Jashtme ndodhet i gjithë dokumentacioni që ka shoqëruar këtë ftesë dhe gjithçka si përgjigje nga pala shqiptare. Ishte një moment që Shqipëria kishte krijuar një raport të admirueshëm me SHBA, por edhe SHBA kishte zbuluar një partner të veçantë te Shqipëria si askush tjetër në të gjithë rajonin. Për rëndësinë që kishte vendi i vogël ballkanik, më 27 nëntor 1930, në Tiranë ishte inaguruar godina e legatës amerikane, e para godinë që Departamenti i Shtetit ndërtoi jashtë kufirit të SHBA. Mjafton ky fakt për të kuptuar se marrëdhënia mes dy vendeve kishte arritur në nivele të larta. Por kulmi i këtyre marrëdhënieve ishte një ftesë e posaçme e presidentit Roosevelt ne emër të mbretit Zog për të vizituar SHBA-në. Më saktë ta priste atë në ceremoni të veçantë në Shtëpinë e Bardhë. Kjo lloj ftese ishte e tillë vërtetë speciale po të mendosh se shumë krerë të tjerë shtetesh nuk e kishin këtë fat. Inspiruesi i kësaj ftese ishte ministri i Shqipërisë në Washington, Faik Konica. Nëpërmjet lobimit dhe miqësive, njohjeve dhe autoritetit të tij, Konica kishte luajtur të gjithë gurët që shefi i Shtëpisë së Bardhë të firmoste ftesën. Të gjitha të dhënat flasin se mbreti u ngazëllye nga kjo ftesë. Ishte jo vetëm një nder, pro një vlerësim dhe mbështetje ndaj tij dhe mbretërisë më të vogël në Evropë dhe një partneri më të madh në rajonin Ballkanik.

PËRSE-të E ANULIMIT TË VIZITËS

Megjithatë, kjo ftesë nuk shkoi si duhej. Në momentin që e mori ftesën mbreti nis përgatitjet e vizitës, madje krijoi edhe axhendën e saj. Por kur erdhi momenti për ta realizuar, çuditërisht ai ndërroi mendim. Nuk do të shkonte në SHBA dhe kjo në fakt është në kufijtë e një skandali diplomatik. Si mund të refuzohej një ftesë për të vizituar SHBA? Si mund të anulohej një vizitë për të cilën ishte dhënë dakortësia dhe ishte përcaktuar edhe koha e realizimit të saj? Kjo do ishte vërtetë një ngjarje e rëndë në aspektin politik, diplomatik dhe personal. Por çfarë e detyroi Ahmet Zogun të mos shkonte në SHBA dhe të anulonte vizitën e jetës së tij? Në fakt ai kishe një arsye madhore me shtetin më fuqishëm në planet dhe kjo lidhej vetëm me pozitën e tij në pushtet. Në atë kohë një vizitë për në SHBA do zgjaste me muaj dhe Zogu e ka imagjinuar mirë se çmund të ndodhte në Shqipëri kur ai të mungonte kaq gjatë. Kundështarët politikë do bënin çmos që ai të rrëzohej duke ngritur kurthe apo realizuar ngjarje e kryengritje nga më të rëndat. Kishte vetëm një vit që kishte kaluar nga Kryengritja e Fierit dhe ai rebelim kishte lënë një shije dhe frikë te mbreti dhe pushtetarët qeveritarë. Por Zogu duhet të ketë kujtuar mirë edhe ngjarjen e 21 shkurtit 1931 kur vizitoi Vjenën, ndërkohë që i bënë një atentat nga i cili shpëtoi paq, por ajutanti i tij kryesor Llesh Topallaj u vra dhe ministri i Oborrit Eqrem Libohova u plagos. Kishin kaluar vetë 5 vjet nga ajo ngjarje tejet e rënë që tronditi Vjenën por më shumë tronditi rëndë Ahmet Zogun dhe pushtetin e tij monark. Nisur nga këto rrethana dhe dyshime për të cilat Zogu ishte i fiksuar ai vendosi të mos shkonte në SHBA. Për këtë i dërgoi një letër jusfitikimi dhe falenderimi njëkohësisht presidentit Roosevelt. Por si Faik Konica dhe administrata e Roosevelt shtangu nga përgjigjja negative e Zogut në momentet e fundit. Ishte vërtetë zhgënjyese.

LETRA JUSTIFIKUESE E MBRETIT ZOG

Me një kaligrafi të përsosur të shkruar në gjuhën frënge mbreti Zog lajmëronte presidentin e SHBA-së Franklin Delano Roosevelt se e anulote vizitën në SHBA. Ndonëse ka përdorur fjalë justifikuese se arsyeja ishin punët e tepërta, kuptohej se diçka tjetër e ka detyruar Zogun ta anulonte vizitën. Më poshtë teksti i letrës:

“Falënderoj thellësisht presidentin e SHBA-së Franklin D. Roosevelt që me anë të përfaqësuesit të tij z. Grant është lutur të më ftojnë për një vizitë në SHBA. Me keqardhje ju njoftoj se nuk mund të vij në këtë moment për shkak të punëve të tepërta të shtetit. Shpresoj të gjej mundësinë dhe rastin në një kohë të përshtatshme dhe t’ju shpreh personalisht Shkëlqesisë suaj ndjenjën e admirimit që kam për liderin e shquar të kombit të madh mik dhe për burrin e shquar që me veprat e tij nga zemra dhe shpirti i ka bërë shërbime fisnike jo vetëm vendit të tij të madh, por edhe gjithë njerëzimit të botës.”

TAKIMI I MOTRAVE TË ZOGUT ME PRESIDENTI ROOSEVELT

Zogu mendonte se mund të merrte atributet e një ylli nëse do ta realizonte atë vizitë. Megjithatë, historia e vizitës së parë të munguar të një kryetari shteti shqiptar në SHBA u zgjidh kur u realizua nga motrat e Zogut në shkurt-mars 1938, përpara dasmës së Zogut. Kjo është zyrtarisht edhe vizita e parë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë e një personaliteti shqiptar të pritur nga presidenti amerikan. Në fillim Zonja e Parë Eleanor dhe më pas presidenti Franklin Roosevelt pritën në zyrën më të rëndësishme në botë tri motrat e mbretit shqiptar, Myzejen, Ruhie dhe Mexhide. Gjatë takimit me Zonjën e Parë Eleanor Roosevelt, në green room hyri edhe presidenti Franklin Roosevelt. I ulur në karrocë ai zhvilloi 10 minuta bisedë me të tria gratë shqiptare më të famshme të kohës. Pas kthimit në Shqipëri motrat e Zogut kishin jo pak për të treguar. Bisedat për turin amerikan të tyre, deri tek takimi me presidentin dhe Zonjën e Parë, u bënë edhe gjatë dasmës së mbretit më 27 prill 1938. Por kujtimet e freskëta të kësaj dite u bënë edhe më të bukura kur vetë presidenti Franklin Roosevelt i dërgoi një telegram personal mbretit Zog duke e uruar për martesën me mbretëreshën Geraldina Apony të shoqëruar me fjalë plot politesë: “Shqipëria do të vijojë të përparojë nën madhërinë dhe mbretërimin tuaj!”.

1.Letra orgjinale e Mbretit Zog I, dërguar presidentit të SHBA Franklin Delano Roosevelt në të cilën njofton anulimin e vizitës për në SHBA.
1.Letra orgjinale e Mbretit Zog I, dërguar presidentit të SHBA Franklin Delano Roosevelt në të cilën njofton anulimin e vizitës për në SHBA.
2. (1.1) Pjesë nga dosja e dokumenteve për përgatitjen e vizitës së Zogut në SHBA.
2. (1.1) Pjesë nga dosja e dokumenteve për përgatitjen e vizitës së Zogut në SHBA.
3. Foto zyrtare e presidentit Franklin Delano Roosevelt.
3. Foto zyrtare e presidentit Franklin Delano Roosevelt.
4. Foto zyrtare e presidentit Roosvelet në zyrën ovale në Shtëpinë e Bardhë
4. Foto zyrtare e presidentit Roosvelet në zyrën ovale në Shtëpinë e Bardhë
5. Foto e mbretit të shqiptarëve Zogu I.
5. Foto e mbretit të shqiptarëve Zogu I.

 

* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *