Çdo lexues, kur lexon, lexon vetveten. Vepra e shkrimtarit është vetëm mjet, që e ndihmon të kuptojë se, pa librin, ndoshta nuk do të kishte mundur të shikojë brenda vetes në atë lloj mënyre. Prandaj kur lexojmë, duhet ta kemi mirë parasysh edhe zgjedhjen e librit. Duke nisur kryesisht nga klasikët e letrave. Çdo libër është një hapësirë, që na fton të hyjmë e të shumëfishojmë jetët tona. Të jetojmë edhe atë të miliona njerëzve. Të provojmë, duke shfletuar faqet e librit, fate të panjohura, të ngjashme me fatet tona. Jeta jonë shpesh na frikëson. Jeta jonë nuk na mjafton. Tepër e shkurtër! Atëherë na lind dëshira ta shumëfishojmë, përmes librave. Ai, që kujton se kemi vetëm një jetë për të jetuar, domethënë se nuk ka shfletuar kurrë ndonjë libër.
Të lexosh do të thotë të hapësh një dritare mbi botën. Të hysh në një botë të panjohur. Do të thotë të dialogosh, të qash e të qeshësh, të duash e të grindesh, si të ishe mes njerëzve të gjallë, jo personazheve, a ideve, që të kanë shkuar edhe ty shumë herë nëpër mend, por nuk ke mundur a nuk ke ditur t’i shprehësh. E i ka shprehur tjetri, për ty. Që, nga dritarja e hapur, të shikosh botën e madhe, duke dalë nga ajo jotja, e vogla. Jeton kështu, në jetën tënde, jetën e botës. Duke zhvilluar mënyrën e të menduarit e përfytyrimin, që të çon nëpër viset e pashkelura, pa lëvizur nga bota jote.