Kurbin/ Përdorte lokalin si sallë lojërash fati, shpallet në kërkim 45-vjeçari, pjesë e grupit të Ervis Martinajt

Artan Sula, (Jani Përskura) është shpallur në kërkim nga policia e Kurbinit pasi dyshohet se organizonte lojëra fati në një lokal në Mamurras.

Në kuadër të operacionit “Basti i fundit”, janë ushtruar kontrolle në ambientet e një lokali jashtë funksionit, në katin e parë të një pallati në lagjen “Drita”, ku dyshohej se organizoheshin lojëra fati me kompjutera, në kundërshtim me ligjin.

‘Nga kontrollet, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 8 kompjutera që shërbenin për këtë veprimtari të kundërligjshme. Si rezultat i veprimeve hetimore për këtë rast, u identifikua dhe u shpall në kërkim poseduesi i dyshuar i këtyre pajisjeve, shtetasi A. S.(alias J. P.) 45 vjeç, banues në Mamurras, njëkohësisht, pronari i lokalit ku u gjetën kompjuterat. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Gjatë 2 fazave të mëparshme të operacionit “Basti i fundit”, janë vënë në pranga 3 shtetas, janë proceduar penalisht 4 shtetas, si dhe janë sekuestruar 13 kompjutera, 2 tavolina pokeri, 2 valixhe me çipsa, celularë dhe pajisje të tjera që shërbenin për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.’- njofton policia.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *