Kurset pas shkolle ose “afterschool”, tashmë janë bërë të zakonshme për fëmijët e shpesh konsiderohen të nevojshme. Pikërisht këtu lind pyetja, a janë vërtet të nevojshme dhe pse është kjo mani për t’i dërguar fëmijët në kurse ku të ndjekin lëndët shkollore?
Nga intervistat e zhvilluara deri më tani me mësues e nxënës në videothirrje të drejtpërdrejta, disa nga arsyet janë mbingarkesa, shpjegimi i paplotë, në disa raste edhe qëllimisht që fëmijët të ndjekin një kurs pas shkolle, numri i lartë i nxënësve në klasa, mësues të papërgatitur mjaftueshëm etj. Nga ana tjetër, është edhe një kosto shtesë për prindërit, që jo në pak raste nuk kanë mundësi. Në rastet kur munden, është një pjesë parash që zbret nga buxheti familjar.
Gjatë telefonatave përballen dy mësuese: Jonia, e cila punon në një qendër afterschool ku merren shërbime që nuk i ofron shkolla shtetërore dhe Etleva, që ndan mendimin se kurset pas shkolle nuk janë të dobishme e as të nevojshme.
Jonia: Ka pasur shumë prindër që kanë thënë të lutem shikoje, nuk ka nevojë ta mësosh, por vetëm ta mbikëqyrësh, ta drejtosh sepse dua që fëmija im të jetë i aftë vetë.
Etleva: Unë them se kurset private janë mbingarkesë për fëmijën. Unë këmbëngul te kjo pjesa mbingarkesë dhe stres. Një fëmijë që është në kurs pasdite thotë në rregull, unë në klasë nuk e mësova këtë gjë, por do ta rikuperoj në pjesën e pasdites që do të jem në kurs dhe ne e dimë se si funksionon edhe në ato kurset e pasdites. Mendoj se duhet të jenë të nevojshme në olimpiada, matematike, kimie.
Mendoj se MASH duhet të bëjë një ndryshim të pjesës së kurrikulave dhe funksionimit të arsimit. Mendoj se edhe shtetit duhet t’i jepet prioritet si në privat me një studim pasdite për të rikuperuar pjesën e paradites të mësimeve që janë të mbingarkuara. Politikat arsimore duhet të ndryshojnë.
Mbingarkesa në sistemin arsimor shtetëror duket se renditet në faktorët që sipas mësueses, prindërit i janë drejtuar kurseve. Shtimi i informacionit që nuk përputhet me moshën e fëmijës dhe formulimi i teksteve shkollore renditet në një problem të tepërt për mësuesin, nxënësin dhe prindin.
Etleva: Janë shtuar. Nëse bëj një krahasim të pjesës së klasës së parë, më ka ndodhur që nëse fëmija shkon në klasë të parë, te teksti i Diturisë dhe Edukatës kanë që në ditën e parë të shkollës tekst për të lexuar ndërkohë që paralelisht ka tekstin e Abetares, ndërkohë te libri i Diturisë bie në kontakt menjëherë me tekst për ta lexuar dhe ushtrime te fletorja e punës për t’i punuar. Gjejmë tekstet shkollore me gabime, gjejmë tekstet shkollore të papërshtatshme për moshën e fëmijëve.
Kjo është arsyeja që kalamajtë marrin kurse?
Etleva: Kemi përkthime shabllon nga gjuha e huaj në shqip ku dhe mësuesi vendoset përballë disa përgjegjësive që duhet patjetër të zhvillojë mësim ndryshe, të gjejë teknikën e veçantë për ta bërë sa më mirë orën e mësimit.
Në arsimin privat nuk është e nevojshme të jenë kurset sepse kjo gjë ezaurohet gjatë gjithë ditës./tvklan