Kursi i këmbimit të Euros vazhdon të shënojë rekorde të reja në rënie. Sipas Bankës së Shqipërisë, ditën e djeshme Euro preku një minimum të ri historik, duke arritur nivelin e 119.54 Lekëve. Agjentët e këmbimit valutor mendojnë se rënia e paprecedentë e Euros kundrejt Lekut tashmë po nxitet kryesisht nga sezoni. Sipas tyre, në ditët e fundit ka një rënie të ngadaltë, por të qëndrueshme të kursit, të lidhur kryesisht me shtimin e prurjeve nga turizmi.
Sakaq këta të fundit presin që tendencat e kursit të jenë të ngjashme përgjatë gjithë sezonit veror, çka nënkupton pritshmëri për zhvlerësim të mëtejshëm të Euros kundrejt Lekut.
Forcimi i Lekut ndaj Euros, që është edhe monedha kryesore në këmbimet e tregtisë së jashtme të vendit, ka një efekt amortizues në përcjelljen e inflacionit të importuar në ekonominë shqiptare.