Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i bëri thirrje NATO-s që të rrisë numrin e paqeruajtësve në Kosovë, pas tensioneve të fundit me Serbinë.
“Një rritje e konsiderueshme e ushtarëve dhe pajisjeve ushtarake të NATO-s në vendin tonë do të përmirësonte sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Kurti për gazetën gjermane Die Welte .
Aktualisht në misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR) janë më shumë se 3700 ushtarë nga 27 vende.
Forcat e NATO-s u vendosën në Kosovë pas përfundimit të luftës në vitin 1999 me qëllim të garantimit të sigurisë.
Kohët e fundit ka pasur tensione të reja mes Kosovës dhe Serbisë. Serbët vendas në veri të Kosovës e mbajtën zonën nën bllokadë për 20 ditë rresht.
Barrikadat janë vendosur në shenjë proteste kundër arrestimit të një ish-polici serb, i cili, sipas Prishtinës, dyshohet se ka organizuar një sulm në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës në veri të vendit.
Megjithatë, serbët vendosën të heqin barrikadat pasi paraburgimi i Dejan Pantiqit iu ndryshua në arrest shtëpiak.
Edhe përfaqësuesit e serbëve në Kosovë në takimin me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq më 28 dhjetor kanë deklaruar se kanë marrë garanci se do të plotësohen kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave.
Në kohën e vendosjes së barrikadave, Qeveria e Kosovës disa herë ka deklaruar se i ka dhënë kohë KFOR-it për t’i hequr barrikadat ose do ta bëjë vetë.