Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencën e përbashkët me Kancelarin e Austrisë, Karl Nehammer, ka thënë se gjatë takimit ndër të tjera kanë folur edhe për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Kurti ka thënë se qasja e Kosovës në këtë proces është konstruktive dhe se dialogu do të duhej të çonte në një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve, të përqendruar në njohje të ndërsjellë.
“Kam informuar Kancelarin Nehhammer për qasjen tonë konstruktive e kreative, pra si qëndrim, dhe normalisht edhe proaktiv, në dialogun me Serbinë, dialogu që do të duhej të çonte drejt marrëveshjes për normalizim të plotë të marrëdhënieve tona, të përqendruar në njohje të ndërsjellë”, ka theksuar Kurti.
Kurti ka thënë se synimi i Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
“Ne do të vazhdojmë agjendën tonë të reformave duke shtruar rrugën për anëtarësim në Bashkimin Evropian, për të cilin kemi aplikuar para një muaji. Ne e vlerësojmë mbështetjen austriake për aplikimin tonë në bazë të vlerësimeve tona të pavarura Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor dhe synimi ynë është që të jemi pjesë plotësisht e integruar e BE-së”, është shprehur Kurti.
Ai ka thënë i janë mirënjohës Austrisë për mbështetjen. “Austria është mike e afërt dhe partnere e rëndësishme për Kosovës, dhe na ka ndihmuar në betejën tonë për çlirim dhe rrugën tonë drejt paqes, bashkë me ushtarët austriakë që kanë shërbyer për vite të tëra në forcat e KFOR-it në Kosovë”, ka deklaruar Kurti.
Sipas Kurtit janë rreth 70 mijë qytetarë kosovarë që qëndrojnë në Austri e që sipas tij shërbejnë si ambasadorë të Kosovës.