E mbetjen e komunave veriore pa kryetarë për rreth gjashtë muaj, kryeministri Albin Kurti e kualifikoi të mërkurën si gjë jonormale. Ai e bëri zotimin se me betimin e tre prej tyre, të enjten, do të mundësohet rikthimi edhe i shërbimeve për qytetarët e pjesës veriore të Kosovës, të banuar kryesisht me serbë. E nga mbledhja e Qeverisë, ai e fajësoi Serbinë për shantazhe e presione mbi serbët, të cilat tha se ndikuan në bojkotimin prej anës së tyre të zgjedhjeve të 23 prillit
Qeveria e Kosovës ka shprehur përcaktimin që të enjten të përmbyllet betimi i kryetarëve shqiptarë në tri komunat veriore të banuara kryesisht me serbë.
Në mbledhjen e Qeverisë, të mbajtur të mërkurën, kryeministri Albin Kurti e kualifikoi obligim ndaj qytetarëve funksionalizimin e komunave në veri.
Ai ka folur sërish për frikësimet, linçimet dhe shantazhet nga Beogradi zyrtar, që, sipas tij, ndikuan drejtpërsëdrejti në daljen e ulët të qytetarëve serbë në zgjedhjet lokale të 25 prillit.
“Nesër në ndërtesa publike në këto komuna do të mbahen seancat konstituive dhe betimi i tre kryetarëve të rinj të Zveçanit, Zubin-Potokut dhe Leposaviqit. Kanë kaluar mbi 6 muaj prej kur këto katër komuna mbetën pa kryetarë, dy prej tyre edhe pa kuvende, e banorët atje pa shërbime komunale. Kjo nuk është normale, veprimet tona kanë në qendër funksionalizimin demokratik të institucioneve shtetërore dhe garantimin e shërbimeve publike për të gjithë qytetarët pa dallim”, ka thënë Kurti.
Ndërtesat publike që kryeministri Kurti i përmendi si vende ku do të bëhet betimi i kryetarëve, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se do të jenë zyrat lokale për komunitete.
“Jemi të përkushtuar ta ndihmojmë atë dhe kryetarët e tjerë që nesër do ta bëjnë betimin në tri komunat e tjera. Janë bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e tyre. Organizimin e parasheh ligji përkatës, por në situatën aktuale seancat nesër do të organizohen në zyrat lokale për komunitete. Si qeveri duam ta rikuperojmë kohën në përmbushjen e detyrave të kryetarëve”, ka thënë Krasniqi.
Krahas betimit të kryetarëve, në Zveçan e Zubin-Potok do të konstituohen edhe kuvendet komunale.
Në mbledhjen e së mërkurës, krahas kësaj, Qeveria i hapi rrugë zhbllokimit të mjeteve vetanake për komunat, duke e përfshirë në agjendë legjislative ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2023.
Qeveria ndau gjithashtu 25.8 milionë euro në mbështetje për sistemet e sigurisë dhe mbrojtjes nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike për Mbështetjen e Sigurisë.
Ekzekutivi miratoi edhe rekomandimin e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për mbylljen e Emergjencës së Shëndetit Publik, tre vjet pas shfaqjes së pandemisë COVID-19./Koha.net