Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar është mik i madh i Kosovës por edhe kontribuues i paqes, sigurisë dhe demokratizimit, jo vetëm në Kosovë, por edhe rajonit.
Ai ka thënë se me Escobarin kanë diskutuar për rëndësinë e raporteve dypalëshe Kosovë-SHBA, për progresin dhe reformat në Kosovë si dhe për dialogun.
Kurti ka thënë se Kosova është palë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Ai ka thënë se janë të përkushtuar për arritjen e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme dhe për normalizim të marrëdhënieve dhe njohje të reciproke.
“E mirëpresim angazhimin e SHBA-së në këtë proces. Rreshtimi i Kosovës përkrah Amerikës dhe Evropës në sanksionet ndaj Rusisë tregojnë angazhimin e Kosovës dhe dallimin me ata të tjerët që nuk e bënë”, ka thënë ai.
Escobar ka thënë se Kosova dhe Amerika kanë partneritet të palëkundur.
Ai ka thënë se kanë diskutuar për dialogun me Serbinë dhe implikimet rajonale të cilat krijohen nga dialogu.
“SHBA mbështetë Kosovën në të gjitha aspiratat euroatlantike dhe do të shohim mundësinë për të mbështetur edhe më tutje Kosovën në këtë rrugë”, ka thënë ai.