Kryeministri, Albin Kurti ka deklaruar se Kosova menjëherë pas liberalizimit të vizave duhet të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Kurti po ashtu tha se shteti i tij meriton të anëtarësohet në NATO dhe të njihet nga pesë shtetet e BE-së: Greqia, Qipro, Rumania, Sllovakia dhe Spanja. Ndër të tjera është shprehur se pas anëtarësimit Kosova do të ndihet më e mbrojtur.
“Menjëherë pas liberalizimit Kosova e meriton dhe duhet të marrë statusin e vendit kandidat. Shpresoj që t’i përgjigjemi me zell mijëra pyetjeve që Ursula von Der Leyen do të na i bëjë ne, pasi t’i thotë Këshilli Evropian. Liberalizimin po ta fitonim para disa vjetëve do të ishte më i rëndësishëm për Kosovën sesa që është tash. Po përpiqemi t’i mbajmë njerëzit në vendin tonë, nëpërmjet ausbildung siç e quani, kjo ndërlidhje e arsimit me tregun e punës. Kur ekonomia e arsimi nuk komunikojnë mirë atëherë fiton migrimi.
Ne si hakmarrje e ëmbël po marrim modelin gjerman që njerëzit të mos shkojnë më në Gjermani. Mendoj që kur t’i bashkohemi NATO-s ne jemi plotësisht të sigurt, por për t’iu bashkuar NATO-s ju duhet të kontribuoni e jo vetëm të përfitoni. Dhe që të kontribuojmë ne do t’i rrisim kapacitetet tona. Mendoj që jemi nga ato shtetet që së pari do t’i bashkohet NATO-s e më pas BE-së, sepse BE-ja është më e komplikuar, siç e dimë. 22 shtete të BE-së na njohin, e pesë nuk na njohin. Kemi përmirësuar atmosferën, por s’ka hapa konkretë që do të mund të thoja që këtë vit apo vitin e ardhshëm do të na njohë ndonjë. Kur këto shtete të na njohin, asgjë s’mund të na ndalojë drejt anëtarësimit në NATO e BE”, ka deklaruar Kurti.