Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me rastin e Ditës së Përkujtimit ka nderuar trimat që kanë sakrifikuar jetën për ta mbrojtur lirinë. Kurti ka theksuar se kjo mbrojtje është e pranishme sot kur forcat e KFOR-it, siç u shpreh ai, ndihmojnë institucionet e Kosovës ta ruajnë paqen.
“Në Ditën e Përkujtimit nderojmë trimat që kanë sakrifikuar jetën për të mbrojtur lirinë. Ne në Kosovë jemi përjetësisht mirënjohës për mbrojtjen e jetës dhe lirive tona që na kanë dhënë forcat amerikane. Kjo mbrojtje është e pranishme sot kur forcat e KFOR-it ndihmojnë institucionet tona të ruajnë paqen”, shkruhet në postim.
Çfarë po ndodh në veri të Kosovës?
Qytetarët serbë kanë tentuar sërish të bllokojnë objektet e komunave dhe të pengojnë hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptar. Policia e Kosovës dhe KFOR kanë rrethuar ndërtesat zyrtare ndërsa situata është përshkallëzuar teksa kanë hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Për shkak të rindezjes së tensioneve është njoftuar se shkollat në veri të Kosovës do të mbyllen dhe mësimi do të pezullohet përkohësisht. Për zhvillimet e fundit në veri ka pasur reagime të shumta nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian të cilët kërkuan të mos përshkallëzohet situata pasi që kjo nuk ndihmon në procesin e dialogut mes dy vendeve.