Kurti: Ndihem i sigurt. Për grevën në arsim: Nuk po pushon shantazhi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nga ana e Qeverisë që drejton janë bërë shumë hapa për ta tejkaluar grevën në arsim, por thotë se shantazhi nuk po pushon.

Në një konferencë për media nga samiti digjital që po mbahet të mërkurën në Prishtinë, kreu i ekzekutivit bëri thirrje që zgjidhja më e mirë është që mësimdhënësit të shkojnë në shkollë për të dhënë mësim dhe të pranohet oferta e kompensimit prej 50 eurove.

“E kam shpjeguar edhe më herët. Kompensimi prej 50 eurove bëhet për t’u përballur me inflacionin dhe jo si zëvendësim i ligjit të pagave që pritet së shpejti të miratohet në Kuvend në të dy leximet. Zgjidhja më e mirë, më e drejtë është edhe mësimdhënësit të shkojnë në shkollë që të japin mësim e nxënësit të shkojnë të mësojnë. Kjo është e domosdoshme për dinjitetin e të gjithëve, por edhe për zhvillimin e mbarë shoqërisë tonë. Ne kemi bërë shumë hapa, por ajo që nuk kemi parë është pushimi i shantazhit, ‘o kaq, o nuk shkojmë në punë’ “, ka thënë ai.

Kurti theksoi se kompensimi prej 50 eurot paraqet rritje më të madhe se rritja e vjetshme ekonomike.

Ai ka thënë se sot pasdite do të takohet me Sindikatën Evropiane të Arsimit, ku do të diskutojë për grevën.

Greva në arsim ka filluar nga 25 gushti. Pavarësisht përpjekjeve, ende nuk është gjetur gjuha e përbashkët që fëmijët të kthehen në shkolla.

Kryeministri i Kosovës u pyet edhe për dokumentin e ri që ka qarkulluar për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Kurti ka përsëritur se në qendër të marrëveshjes duhet të jetë njohja reciproke.

“Qarkullojnë dokumente të ndryshme, të cilat unë s’kam nevoj t’i komentojë. Ato janë dokumente pa autorë që bëhet me qëllim të matjes së pulsit të qytetarëve si dhe politikanëve”, ka thënë ai.

Kurti: Ndihem i sigurt

Kryeministri Albin Kurti ka komentuar edhe atentatin e planifikuar ndaj tij, i cili u bë publik të hënën nga mediat në Shqipëri.

Kurti ka thënë se ishin në dijeni të atyre planifikimeve, por ato nuk janë publikuar për të mos shqetësuar popullatën.

“Sa jam i sigurt nuk e di, por unë ndihem i sigurt. Sa jam i sigurt e vlerësojnë organet e drejtësisë. E kemi thënë që kemi qenë në dijeni të atyre planifikimeve, por s’i kemi publikuar pasi është vlerësuar se janë bërë për të shqetësuar popullatën dhe për të krijuar destabilizim”, ka thënë ai.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *