Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se tri kushtet që ai vendosi në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, janë ato që garantojnë procesin e normalizimit me Serbinë.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Kurti tha se pa dorëzimin e Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij, që kreu sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, tek autoritetet e Kosovës s’mund të ketë mirëbesim në dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
“Tridhjetë e nëntë persona të atij grupi, nga 47 të identifikuar qartë ndodhen në listën e kërkimit ndërkombëtar nga INTERPOL-i. Për aq kohë sa Radoiçiç dhe grupi i tij janë të lirë dhe të mbrojtur në Serbi, nuk ka mirëbesim në dialogun për normalizim”, tha Kurti.
Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – mori përgjegjësinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Në sulm mbeti i vrarë një rreshter, ndërkaq gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.
Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon se ka gisht në të.
Në rundin e dialogut, të mbajtur më 26 qershor, Bashkimi Evropian tha se Kurti nuk ishte i gatshëm për një takim trepalësh me ndërmjetësit evropianë dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.