Kurti: Po bëhemi gati për zgjedhjet në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se po bëjnë gati të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen sa më të mirë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore më 23 prill. Ai ka ftuar serbët në veri që të dalin sa më shumë në zgjedhje.

Kurti ka thënë se ministrat e linjave kanë bërë të gjitha përgatitje që zgjedhjet në veri të shkojnë sa më mirë. Por kreu i ekzekutivit ka thënë se është i vetëdijshëm që zgjedhjet në veri janë ndryshe nga komunat e tjera. Kurti ia atribuuar këtë “krejtësisht obstruksionit të Serbisë”.

“Në të njëjtën kohë u bëj thirrje qytetarëve në veri që të votojnë për kandidatët për kryetarë të komunave. Është shumë e rëndësishme që atje qytetarët pa dallim të dalin të votojnë dhe ne po i bëjmë të gjitha përgatitjet. Jemi të vetëdijshëm se zgjedhjet atje nuk janë të njëjta si në komunat shqiptare, pasi obstruksionet e Serbisë janë më të mëdha, edhe në aspektin mediatik edhe në mbetjen e strukturave paralele”, ka thënë Kurti në Kuvend të enjten.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin-Potokut, janë shpallur për 23 prill, pasi kryetarët e Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e procesit të konvertimit të targave ilegale të automjeteve, të lëshuara nga Serbia.

Zgjedhjet e paralajmëruara më parë, për 18 dhjetor të vitit të kaluar, qenë shtyrë me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.

Pas kësaj dhe pas caktimit të datës së re të zgjedhjeve, afati për paraqitjen e kandidaturave ka skaduar më 22 mars, e Lista Serbe nuk ka aplikuar për të marrë pjesë në to.

Njohës të çështjeve kanë theksuar se do të jetë sfidë për institucionet organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve për kryetarë në katër komunat veriore të Kosovës, pa pjesëmarrjen në proces të Listës Serbe.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *