Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në zyrën e tij yllin botëror Dua Lipa dhe babanë e saj, Dukagjin Lipa.
Kurti ka përgëzuar të dy për organizimin e festivalit “Sunny Hill” dhe ka shtuar se ai festival është mbajtur “aty ku ka vendin”, pas shumë polemikave për zhvendosjen e tij për shkak të mos dhënies së lejes për tokën nga ministria e Planifikimit Hapësiror. Kurti theksoi se Kosova sivjet po shënon njërin ndër vitet më të suksesshme në aspektin artistik.
“U mbajt në Prishtinë, aty ku e ka vendin. Kosova shkëlqen ndryshe me Sunny Hill dhe vajzën tonë të artë, Dua Lipa, të cilën sot e prita në Kryeministri. Vendi ynë po shënon një nga vitet më të suksesshme kulturore në historinë e tij. Duan e falënderova për përfaqësimin e bukur e dinjitoz dhe promovimin e vlerave të Kosovës kudo në botë. Zëri, muzika e kënga e saj, na kanë bërë shumë më të njohur dhe mirënjohur anembanë. Kontributi që ajo jep për Kosovën është i pamatshëm”, shkroi Kurti.
Në ditën e fundit të mbajtjes së këtij eventi, Kurti ka thënë se është koha për t’i thënë faleminderit Lipës dhe ekipit të saj për promovimin që i ka dhënë shtetit të Kosovës dhe çështjes së liberalizimit të vizave.
“Festivali “Sunny Hill” i shton shije jetës kulturore të shtetit tonë. Pas katër ditë performancë muzikore me emra të njohur ndërkombëtarë dhe vendorë, është momenti t’u themi faleminderit Duas dhe gjithë ekipit për punën dhe promovimin që i bënë Kosovës. Sunny Hill është edhe dobi për ekonominë lokale, ndërsa sivjet edhe mbështetje ndaj angazhimeve shtetërore për liberalizimin e merituar të vizave për qytetarët e Kosovës”.