Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh se mosparaqitja e kryeministrit Albin Kurti në Prokurorinë Speciale është “dëshmi se kryeministri nuk është në anën e ligjit por në anën e të akuzuarve për korrupsion dhe vjedhje”.
Kreu i AAK-së ka akuzuar Kurtin për “mbrojtje të krimit dhe korrupsionit”, duke thënë se qëndrimi i tij tregon se ai është në anën e të akuzuarve dhe nuk i respekton thirrjet e Prokurorisë për të dhënë shpjegime.
“Lufta kundër korrupsionit ose hajnisë nuk është e lehtë. Ka qenë e vështirë gjithmonë, ka pasur shqetësime për korrupsion edhe në të kaluarën në të gjitha qeveritë edhe në qeverisjen time. Mirëpo, çdoherë zyrtarët shtetërorë, udhëheqësit e shtetit, kanë qenë me ligjin dhe në anën e prokurorëve”, tha Haradinaj, për Ekonomia Online.