Qeveria e Kosovës i ka hedhur poshtë të enjten kritikat e QUINT-it, BE-së dhe OSBE-së ndaj vendimit të saj për finalizimin e shpronësimit të mbi 100 parcelave në komunat me shumicë serbe në veri të vendit, duke thënë se deklarata e tyre e përbashkët “konstaton në mënyrë të gabuar gjendjen faktike dhe bën vlerësim ligjor të pabazuar në argumente”.
Një ditë më herët, Radio Evropa e Lirë raportoi për vendimin përfundimtar të Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e tokave në Leposaviq dhe Zubin Potok, i cili përjashton disa parcela private, por vetëm të atyre qytetarëve që e kanë fituar procesin në gjykatë.
Në një deklaratë të enjten gjatë ditës, QUINT-i (SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë), BE-ja dhe OSBE-së (Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë), thanë se “Qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit. Vërejmë se sistemi gjyqësor i Kosovës ka identifikuar shqetësime të ngjashme ligjore me vendimin preliminar të shpronësimit, të cilin Qeveria ende nuk e ka adresuar”.
Në një përgjigje ndaj deklaratës së tyre të përbashkët, Qeveria e Kosovës shkroi në Facebook të enjten vonë se “paditësit kanë ushtruar padi kundër vendimit preliminar për shpronësim duke pretenduar shkeljen e ligjit në procedurë”.
“Gjykatat kanë gjetur se paditësit, përjashtimisht një numri të vogël të tyre, nuk kishin legjitimitet në procedurë, pasi të njëjtit nuk janë pronarë të pronave të cilat ishin subjekt i shpronësimit. Në vendimin përfundimtar, Qeveria ka reflektuar vendimet e gjykatave dhe ka përjashtuar nga shpronësimi pronat e paditësve të suksesshëm”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.