Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për shtyp lidhur me sulmin terrorist në kanalin Ibër-Lepenc, deklaroi se Serbia po përdor metoda të ngjashme me ato të Rusisë për të kërcënuar Kosovën.
Ai theksoi se gjatë kontrollit të zhvilluar nga Policia e Kosovës, u gjetën shumë emblema të njësive ushtarake ruse, përfshirë ato të forcave parashutiste dhe flamuj të periudhës cariste, që simbolizojnë një histori të ekspansionizmit rus.
“Gjatë kontrolleve nga Policia e Kosovës në lokacionet e ndryshme pas sulmit terrorist, përveç armëve, u gjetën dhjetëra emblema të njësive ushtarake ruse, që u takojnë njësive të specializuara për kryerje të operacioneve të veçanta ushtarake sikurse rasti i emblemave të forcave parashutiste të ruse, u gjetën edhe flamur krahu perandorak rus i përdorur nga Rusia cariste në shekullin 18 e 19, atë kur merr hov të madh historik imperializmi rus.
Serbia po i kopjon metodat ruse për ta kërcënuar Kosovën dhe rajonin tonë, por edhe kjo përpjekje është e destinuar të dështojë, pasi Kosova mbështet në vlera demokratike perëndimor që na kanë forcuar së brendshmi dhe e kanë forcuar partneritetin tonë së jashtmi me aleatët e jashtë strategjikë”, ka thënë Kurti.