Nikolla shprehu mbështetjen ndaj Kosovës për marrëveshjen e arritur në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Kryeparlamentarja theksoi se Shqipëria mbështet perspektivën euroatlantike të Kosovës.
“Kuvendi nxit e mbështet bashkëpunimin e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha fushat dhe mbështesim vendimet e Qeverisë së Kosovës, si vendime të një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe të një shteti sovran dhe të pavarur. Bashkëpunimi intensiv mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës është në ditët më të mira. Ne mbështesim perspektivën euro-atlantike të Kosovës dhe vijojmë të lobojmë për njohjet e reja ndërkombëtare, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, OKB dhe organizatat ndërkombëtare.
Mbështesim dialogun midis Kosovës dhe Serbisë si rruga më e mirë dhe e vetme drejt njohjes së ndërsjelltë mes dy vendeve, vlerësojmë Planin Evropian si një pikënisje e mirë për dialogun dhe mbështesim angazhimin e BE-së dhe SHBA-së në zbatimin e aneksit të këtij Plani. Zbatimi i marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tij euroatlantike.”, u shpreh Kryetarja Nikolla.
Nga ana e tij, Kurti vuri në dukje progresin ekonomik dhe konsolidimin e institucioneve në Kosovë. Ai u shpreh se qeveria e tij është e vendosur për avancimin e dialogut me Serbinë dhe zbatimin e planit Europian.