Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se zgjerimi i Bashkimit Evropian është përgjigjja më e mirë ndaj atyre që kërcënojnë paqen dhe unitetin e Evropës.
Kurti ka shkruar se gjatë takimit të sotëm ka falënderuar presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen për mbështetjen e saj për Ballkanin Perëndimor.
“Kosova është e etur për t’u bashkuar në “garën për në krye” në një proces anëtarësimi të bazuar në merita. Me zgjerimin e kthyer në agjendën e BE-së, ne presim me padurim marrjen e statusit të kandidatit dhe pyetësorit, pasi angazhimi ynë ndaj reformave, zhvillimit dhe demokracisë vetëm sa bëhet më i fortë”, ka shkruar Kurti.
Presidentja e KE-së Ursula von der Leyen ka pritur sot në një drekë pune liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në mesin e tyre edhe kryeministrin Kurti./Kosovapress