Lista Serbe ka thënë se nuk bashkëpunon me Qeverinë Kurti dhe se synimi i saj është që ta rrëzojë kryeministrin Albin Kurti nga froni.
Lista Serbe në një postim në Facebook ka thënë se Qeveria e Kurtit punon kundër interesave të serbëve në Kosovë.
Në postimin në Facebook, Lista Serbe i ka reaguar deklarimeve të ministrit të Mbrojtjes, Xhelal Sveçla.
“E vetmja e vërtetë që ministri i frikësuar Sveçla ka thënë në deklaratën e tij është se Lista Serbe nuk bashkëpunon me Qeverinë e Albin Kurtit, sepse ajo punon kundër interesave të popullit serb dhe se qëllimi ynë politik është që ta rrëzojmë Albin Kurtit nga pushteti, që është edhe interes i të gjithëve që duan të jetojnë në paqe në këto territore”, thuhet në reagim të Listës Serbe.
Lista Serbe ka thënë se deklaratat e fundit të ministrit Sveçla ilustrojnë më së miri qëndrimin antiserb të Qeverisë Kurti.
“Në deklaratën që dha, ministri Sveçla tha një mori gënjeshtras për nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiq dhe për Listën Serbe në përgjithësi”, thuhet në reagim.
Lista Serbe ka konfirmuar po ashtu se të dielën në barrikada ishte edhe Milan Radojçiq.
“Gjëja më e rëndësishme që, Sveçla nuk guxon ta pranojë është se ai është i vetëdijshëm se sa autoritet ka z. Radojçiq në mesin e serbëve, gjë që u pa më së miri të dielën kur iu bashkua atyre në protesta dhe që ishte me qytetarët dhe kryesinë e Listës Serbe gjatë gjithë kohës, për kënaqësinë e përgjithshme të gjithë të pranishmëve, të cilët atëherë u ndien të sigurtë, sepse ai gjithmonë kur ishte me ta, kujdesej për sigurinë e çdo personi dhe çdo familje në veri”, thuhet nga Lista Serbe.