Kur u publikua skandali i keqpërdorimit të të dhënave personale nga Partia Socialiste për zgjedhjet e 25 Prillit, u raportua se vetë socialistët ishin shqetësuar që databaza me të dhënat personale kishte rënë në duar të gabuara në jo pak raste. Koha na dha të drejtë. Mes komunitetit të patronazhistëve ka edhe elementë kriminalë, të cilët partia iu jep akses në lista ku janë numrat e telefonit, adresat, punësimi dhe të dhënat e tjera konfidenciale që qytetarët ia kanë besuar shteti
I tillë është rasti i fundit, ai i Mehmet Grecës në Elbasan, patronazhisti i Partisë Socialiste që dje u kap me drogë nga policia. Para 25 Prillit, Greca lëvizte me listat me të dhënat e qytetarëve në lagjen “5 Maji” dhe me shuma të mëdha parash, duke kërkuar vota për Partinë Socialiste.
37-vjeçari u arrestua të shtunën (30 Prill) në Elbasan, sepse në shtëpi iu gjet një sasi kokaine dhe nja sasi kanabisi. Tani do të përballet me akuzën për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”. Shpërndarësi i drogës në Elbasan, ishte as më shumë dhe as më pak një patronazhist i Partisë Socialiste në qarkun që drejtohej nga Taulant Balla.
Para zgjedhjeve, Greca ishte personi që u ndalua nga të ashtuquajturat “grupe të mbrojtjes së votës” të Partisë Demokratike dhe u mbajt me forcë deri kur mbërriti policia. Ngjarja degradoi më pas me mbërritjen e Klement Xhaferrit dhe pas të shtënave me armë, u vra Pjerin Xhuvani.
Policia, atëherë gjeti në makinën e Mehmet Grecës një pasaportë, dy kartmonedha 50 euro, fotokopje kartash identiteti, si dhe një bllok me shënimin “Met Dafllaku pagesë”. “Blloku kishte gjashtë faqe me emra dhe ID, me përshkrimin “formular patronazhi” thuhej në materialet e prokurorisë. Mehmet Greca është patronazhisti i tretë që kapet me drogë.
Para Grecës, ishte Ndriçim Harka, një person i punësuar si zjarrëfikës në Tiranë që u arrestua si pjesë e një operacioni të organizuar në Gjermani në qershor të vitit 2021.
Të dhënat që mbërritën nga jashtë, zbuluan se patronazhisti i Partisë Socialiste drejtonte një grup të trafikut të kokainës në Gjermani. Partia Socialiste i kishte besuar Ndriçim Harkës vëzhgimin, monitorimin dhe përgjimin e 67 banorëve të Tiranës, mes të cilëve kishte edhe punonjës policie.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, grupi i Ndriçim Harkës trafikonte kokainë nga Gjermania në Zvicër prej vitit 2015. Harka kishtea udhëtuar disa herë në drejtim të Zvicrës dhe Gjermanisë.
Rasti i Niçes së Shijakut
Kohë para se Lapsi.al të publikonte emrat e patronazhistëve të Partisë Socialiste të Tiranës, funksionin e tyre e kishte përmendur ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako.
Duke folur për një trafikant droge që mblidhte vota për Partinë Socialiste në Durrës, i njohur me pseudonimin Niçja i Shijakut, Vangjush Dako tregoi edhe si funksionon patronazhimi apo “censusi” siç e quajnë ndryshe socialistët.
Rasti i Altin Avdylit, i njohur ndryshe si Niçja i Shijakut, konfirmoi se si të dhënat personale apo nevojat dhe shërbimet nga institucionet shtetërore përdoren si plaçkë në këmbim të votës nga patronazhistët e PS-së.
Skema e patronazhimit të Partisë Socialiste mbetet shqetësim konstant i raporteve ndërkombëtare për shantazhin, presionet dhe kontrollin e votuesve, përmes të dhënave personale nga partia në pushtet. Që kur publikoi databazën, në 11 Prill të vitit që kaloi. Lapsi.al raportoi se informacionet personale të secilit prej nesh kishin rënë në duart e gabuara. Koha po e konfirmon periodikisht këtë pohim./Lapsi.al