Personi që tentoi sot vetëvrasjen te “Muzeu Kombëtar” është Admir Jahelezi, pronar i një agjencie transporti pasagjerësh nga Shqipëria në Kosovë. Ai pretendon se autoritetet shqiptare i kanë cenuar licencën duke favorizuar persona të tjerë, ndërsa thotë se ka marrë borxhe dhe kredi për të themeluar kompaninë, por është konkurruar në mënyrë të padrejtë.
Jahelezi pretendon se ka bërë disa ankesa në Ministrinë e Transporteve, por nuk ka marrë asnjë përgjigje, duke u detyruar që të sigurojë vetë pamje filmike për shkeljet. Ai thotë se i cenohet licenca, pasi preken interesat e kompanive që mbrohen me forcë nga Ministria dhe Policia e qarkullimit Tropojë.
Po ashtu Jahelezi shprehet se nga policia i është bërë vazhdimisht presion, ndërsa shton se është kërcënuar nga administratori i shoqërisë “Rilindi Rifat Hajdin” dhe djali i tij Lirim Hajdini në prezencë të një polici të Kosovës dhe të Shqipërisë, rreth një vit më parë.
Ismet Jahelezi, vëllai i Admir Jahelezit, i cili kërcënoi me vetëvrasje paraditen e sotme se do të hidhej nga godina e “Muzeut Kombëtar” ka zbuluar me emra personat e Policisë së Qarkullimit Rrugor, që e kanë penguar në vijueshmërinë e punës së tij. Admir Hajelezi është pronar i agjencisë që transportonte pasagjerë nga Bajram Curri- Gjakovë-Tiranë, ndërsa vëllai i tij në një prononcim për mediat tha se kanë qenë Policët e Transportit Rrugor nga Komisariati i Tropojës që kanë ndikuar në bllokimin e aktivitetit.
Sipas tij, Ministria e Kosovës ka marrë vendim për të ndaluar konkurrencën e padrejtë të linjave të tjera, ndërsa nga autoritetet shqiptare nuk kanë marrë asnjë përgjigje pavarësisht ankesave të herëpashershme. Personat që sipas tij i kanë bllokuar aktivitetin janë: nga policia e autostradës Milot-Morinë, Artan Hoxha, Preng Cupi, ndërsa nga Policia e Tropojës Dush Hajdari dhe Hamëz Selimi.
Mesazhi i plotë i Admir Jahelezit:
Përshëndetje, jam administrator i një shoqërie transporti udhëtarësh ndërkombëtar. Për të bërë kompaninë, unë kam marrë lekë borxh dhe kredi. Pasi jam pajisur me licencë kam konstatuar në një konkurrencë të paligjshme nga dy kompani Rilindi dhe Driagona, të cilat janë kompani transporti ndërqytetëse brenda vendit por janë pajisur me urdhër nga lart në kundërshtim me heqje licence ndërqytetëse kur në to shkruhet dhe territori i Kosovës dhe qytetet, e cila bie në kundërshtim me ligj.
Unë kam bërë ankesa të shumta në ministri, por pa asnjë rezultat. Jam detyruar të bëj vetë pamje filmike për shkeljet e tyre. Pas shumë ankesash dhe në ministrinë e Kosovës dhe pamje filmike dhe të dhënave doganore, ministria e Kosovës merr vendim për ndalimin e tyre, i cili bie poshtë brenda ditës si shumë vendime të ministrive ku preken interesat e këtyre kompanive që mbrohen me forcë nga ministria dhe policia e qarkullimit Tropojë dhe rrugës Morinë-Kukës-Milot.
Ndaj meje është ushtruar presion nga ana e policisë me ndalesa të shumta. Po ashtu jam kërcënuar nga administrator i shoqërisë Rilindi Rifat Hajdin dhe djali i tij Lirim Hajdini në prezencën e policisë së Kosovës e të Shqipërisë, nëse unë ushtroj aktivitetin tim dhe nëse bëj ankesa kundër tyre, ky kërcënim ka ndodhur para një viti e ca. Duke mos gjetur rrugë zgjidhje, unë kam vendosur të marr akt shumë të vështirë nëse nuk marr përgjigje nga ministria dhe nga Edi Rama, unë do t’i jap fund vuajtjeve të mia. Do të hidhem nga një ndërtesë nëse s’marr një përgjigje të drejtë.