Pas shtyrjes së garës për emrin që do të zëvendësojë Erinda Ballancën në krye të institucionit të Avokatit të Popullit, në Kuvend janë paraqitur edhe 6 kandidaturat për këtë post. SCAN ka mesuar se ata janë Altin Goxhaj, Erinda Ballanca, Bledar Dervishaj, Ermir Kapedani, Drita Abdylaj, dhe Jordan Daci.
Të gjashtë janë emra të njohur të ambientit juridik shqiptar, mes të cilëve bie në sy Bledar Dervishaj, Këshilltar i Presidentit Ilir Meta, Jordan Daci, Pedagog, ish Këshilltar në Gjykatën e Lartë, Ermir Kapedani, i cili aktualisht është Komisioner pranë Avokatit të Popullit. Drita Avdylaj është Kreu i Dhomës shqiptare të Ndërmjetësimit, ndërkohë që avokati Altin Goxhaj është një jurist dhe aktivitist i njohur i Shoqërisë Civile. Ndërkohë që bie në sy edhe rikandidimi i vetë Erinda Ballancës.
Afati fillestar për paraqitjen e kandidaturave në Kuvend ishte 20 prilli i këtij vitit, i shtyrë më pas nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve për 30 ditë. Ligji parashikon që kandidatët fillimisht të pyeten në seanca dëgjimore nga komisioni i ligjeve, që verifikon përmbushjen e kritereve për kandidim.
Në fund të seancave dëgjimore, komisioni miraton një listë me kandidatët dhe vlerësimet përkatëse për ta. Ata që i përmbushin kriteret ligjore, duhet të marrin edhe mbështetjen e të paktën 28 deputetëve për të qenë zyrtarisht kandidat për Avokat Populli, ndërkohë që është Parlamenti ai që thotë fjalën e fundit dhe zgjedh fituesin me 84 vota në seancë plenare./scan