Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar Bordin për Transparencën dhe Monitorimin e Çmimeve të ushqimeve.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Sula shkruan se u shfuqizua një ligj abuziv që fuste dorën në xhep të qytetarëve. Ndërkohë që i kërkoi Gjykatës Kushtetuese, që të bënte të njëjtën gjë dhe me Bordin e Naftës.
“Qeveria kapet me ‘presh në dore’ me bordin hajdut. Më në fund një lajm i mirë për qytetarët shqiptarë. Gjykata Kushtetuese na dha të drejtë ne, grupit Parlamentar të PD dhe rrëzoi Bordin e Vendosjes së Çmimeve. Unë dhe gjithë grupi ynë i opozitës e kemi kundërshtuar qysh prej fillimit ngritjen e një bordi të tillë i cili nuk u erdhi në ndihmë qytetarëve, por grosistëve. Ndaj së bashku me kolegët e mi vendosëm ta godisnim në Gjykatën Kushtetuese. Sot trupa gjykuese na dha të drejtë dhe shfuqizoi ligjin abuziv që u fuste dorën në xhep qytetarëve çdo ditë duke vendosur çmime në favor të grosistëve. Tani qeveria duhet tu kthejë paratë e marra në mënyrë të padrejtë me çmimet e vendosura nga bordet qytetarëve. Ndërkohë inkurajojë Gjykatën Kushtetuese të procedojë me shpejtësi edhe me ankimimin që kam bërë së bashku me kolegët e mi për bordin që vendos çmimin e naftës”, shkruan deputeti.