Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë Admir Thanza i cili pretendonte se vendimi për sekuestrimin e pasurisë së tij u mor në kundërshtim me ligjin. Ai humbi betejën në të gjitha shkallët, për pasurinë e tij, e cila u sekuestrua me urdhër të GJKKO-së.
Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë u mor nën hetim nga SPAK për fshehje dhe mosdeklarim pasurie. Me vendim të gjykatës së Posaçme, iu sekuestrua për 2 pasuri të paluajtshme në emër të tij, dyqani dhe apartamenti. Në vitin 2018 Thanza u rrëzua nga procesi i Vettingut.
Thanza u akuzua se ka fshehur një dënim të formës së prerë në Itali me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta gjobë. Dënimi është dhënë në vitin 1999, por ish-gjyqtari tha se kishte marrë përsipër veprimin e ish-kunatës së tij për të shpëtuar jetën e nipit, që kurohej në Itali nga sëmundje e rëndë. Bëhej fjalë për vjedhjen e disa rrobave dhe produkteve kozmetike.