Deputeti Flamur Noka foli nga foltorja e Kuvendit ditën e sotme për procesin zgjedhor, duke e cilësuar më të turpshmin në historinë e vendit.
“Sot, është një ditë që çdo shqiptar i ndershëm e shikon që para dy ditësh u mbyll një proces, më i turpshmi në historinë e Shqipërisë. Më 14 Maj nuk kishte zgjedhje, por një proces votimi. Ditën e dielë ju konfirmuat se këtu nuk ekziston një qeveri demokratike, por në Shqipëri dita e dielë konfirmoi se ka një narko-regjim. Në Shqipëri u tregua ditën e dielë se vija ndarëse mes partisë dhe shtetit nuk ekziston, parti-shtet ishin të gjithë krim, para krimi, korrupsioni, droge.” – u shpreh deputeti.
Noka paralajmëroi mazhorancën për një përgjigjie nga ana e opozitës, për të gjitha veprimet që ai i quan “të një bande kriminale”.
“Të gjithë ishin garnizon i PS për të blerë, vjedhur, dhunuar, terrorizuar procesin e quajtur zgjedhor vetëm e vetëm me një kusht, që Rilindja të merrte 100% të pushtetit. Banda e quajtur qeveri shkoi të dielën me një moto: Të gjithë pushtetin sovjetëve! Kjo tregon mentalitetin e Edi Ramës dhe kësaj qeverie, nuk ishte imagjinuar ndonjëherë që kryeministri t’u thoshte njerëzve që po votuat opozitën do u lëmë pa drita, ujë e energji. Jeni duke e çuar Shqipërinë në kufijtë e së pamundurës, këto mekanizma i përdor vetëm mafia. Bëhuni gati se do u përgjigjemi siç i përgjigjemi një bande kriminale, nuk ka asnjë mënyrë tjetër tashmë me ju ” – tha Noka