Kryesia e parlamentit kosovar pritet të vendosë sot për seancën parlamentare për zgjedhjen e presidentit të ri, mes mëdyshjeve rreth votave dhe përplasjeve politike të një dite më parë rreth një kërkese të lëvizjes Vetëvendosje për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Takimi do të mbahet me shefat e grupeve parlamentare dhe nënkryetarët e Kuvendit. Lajmin e ka konfirmuar Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza.
Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit, nuk arriti të sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave për të miratuar në procedurë të përshpejtuar ndryshimin e ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, kërkesë që u hodh papritmas të premten duke nxitur shumë reagime e pakënaqësi të opozitës. Madje Lidhja Demokratike e cila ishte zotuar se do të marrë pjesë në votimin për presidentin, tha se nuk do të ofrojë një mbështetje të tillë nëse nuk tërhiqet kërkesa e lëvizjes Vetëvendosje.
Të shtunën rreth mesditës, ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se është takuar me kryeministrin Albin Kurti dhe kandidaten për presidente të Kosovës znj. Vjosa Osmani për të diskutuar “mbi rëndësinë e kompletimit të kësaj faze të tretë të krijimit të institucioneve” dhe shmangien e situatës kur vendi do të duhej të shkonte në zgjedhje të reja. Sipas Kushtetutës së Kosovës, “Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimi të mandatit të Presidentit aktual”.
Ky mandat përfundon më 5 maj dhe data e fundit në të cilën parlamenti i Kosovës duhet të fillojë procesin e zgjedhjes së presidentit, është e hëna me 5 prill. Sipas Kushtetutës, është e domosdoshme që në votimet për presidentin të marrin pjesë dy të tretat e deputetëve në parlamentin 120 vendesh. Në dy raundet e para të votimit duhen 80 vota, ndërsa në raundin e tretë, presidenti mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.