Kuvendi i Kosovës ka votuar sot qeverinë e re, e cila do të udhëhiqet nga kryeministri Kurti. Kabineti ‘Kurti 2’ u votua me 67 vota pro dhe 30 vota kundër në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur sot.
Kuvendi i Kosovës, në seancën e sotme konstituive ka zgjedhur për kryetar të Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufcën, të cilit pas përfundimit të kësaj seance ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ia ka dorëzuar këtë detyrë.
Pasi në cilësinë e U.D. të Presidentit, Konjufca ka dekretuar liderin e LVV, Albin Kurti për mandatar të formimit të qeverisë së re, si kryetar i Kuvendit ka thirrur mbledhjen e Kryesisë, në të cilën është caktuar mbajtja e seancës së jashtëzakonshme për formimin e Qeverisë së Kosovës.
Para se të votohej Qeveria Kurti 2, kryeministri Kuti ka prezantuar në Kuvend programin qeverisës dhe përbërjen e kabinetit qeveritar.
Dy deputet nga Lista e Vjosa Osmanit kanë marrë pozita në kabinetin e Qeverisë Kurti 2.
Donika Gërvalla është propozuar zëvendësministre e dytë dhe ministre për punë të Jashtme, ndërkaq Faton Peci ministër i Bujqësisë.
QEVERIA “KURTI 2”
Kryeministër, Albin Kurti
Zëvendëskryeministër i parë për Integrime evropiane, zhvillim dhe dialog, Besnik Bislimi
Zëvendëskryeministre e dytë dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla
Zëvendëskryeministre e tretë për çështje të pakicave dhe të drejtat e njeriut, Emilija Rexhepi
Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati
Ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu
Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia
Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci
Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku
Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi
Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu
Ministër i Bujqësisë, Faton Peci
Ministër i Mbrojtjes, Armend Mehaj
Ministër i Brendshëm dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla
Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari
Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli
Ministër për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq
Ministër për Zhvillim Rajonal, Fikrim Damka