Kuvendi i Shqipërisë ka votuar unanimisht, me 125 vota të deputetëve, rezolutën me të cilën synon të hedhë poshtë akuzat për trafikimin me organe të qenieve njerëzore gjatë luftës në Kosovë, pretendime që burojnë nga një raport i Këshillit të Evropës. Seanca u përcoll me shkëmbime akuzash mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike, rreth rolit të tyre në luftën e Kosovës dhe në raport me akuzat e ngritura ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rezolutë kundër ‘ankthit’ nga raporti i Dick Martyt
Kryeministri i Shqipërisë, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste e cila ka hartuar këtë projekt-rezolutë, Edi Rama, tha më herët gjatë ditës se përmes miratimit të saj synohet kthimi i dinjitetit të popullit shqiptar dhe luftëtarëve të UÇK-së.
“Shqipëria do të merret me reputacionin e cenuar të popullit shqiptar dhe do ta bëjë këtë me dinjitet. Zëri i Shqipërisë do të dëgjohet në Strasburg”, u shpreh Rama.
“Ky proces hetimesh nuk ka sjellë asnjë drejtësi, por ka bërë viktima figurat kryesore të UÇK-së”, shtoi ai.
Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë kërkon të shpallë të pabazuara pretendimet për trafikim të organeve dhe kërkon nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës të rishikojë rezolutën që aprovon raportin e senatorit zviceran, Dick Marty dhe akuzat e ngritura, të cilat i vlerëson si “të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova e fakte”.
Rama: Këshilli i Evropës duhet të kërkojë falje për raportin e Martyt
Kuvendi i Shqipërisë përmes rezolutës kërkon që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës “të realizojë një raport vijues dhe rishikim të Rezolutës 1782” e cila u dha hov pretendimeve për trafikimin e organeve të qenieve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri gjatë luftës së 1998-1999 në Kosovë. Raporti, i hartuar nga Dick Marty, një politikan zviceran dhe një ish-anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 2010, u shndërrua në arsyen për themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, një gjykatë hibride para të cilës ish-krerët më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tashmë po gjykohen nën akuza për krime të luftës ndaj civilëve serbë dhe rivalëve politikë.
Raporti i Martyt, i cili u miratua me një rezolutë nga Këshilli i Evropës në vitin 2011, përmban pretendime se ish-krerët e UÇK-së ishin të përfshirë në trafikim të organeve të qenieve njerëzore gjatë luftës. Akuzat e ngritura në raportin e Martyt janë hetuar nga një prokuror amerikan dhe gjetjet e tij nuk kanë përfshirë dëshmi të bazuara se trafikimi i organeve me qenie njerëzore ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë.
Çka është Gjykata Speciale e Kosovës?
Pretendimet e raportit të Martyt për trafikim organesh nuk janë materializuar as në aktakuzën e ngritur më 2020 kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e Jakup Krasniqi, dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, të cilët i mohojnë akuzat. Megjithatë, pretendimet e Martyt nuk janë hedhur poshtë nga Këshilli i Evropës, ndërkohë që së fundmi Marty është vënë nën mbrojtjen e policisë zvicerane pas zbulimit se strukturat serbe të sigurisë po planifikonin vrasjen e tij./rel