“Parlamenti i Shqipërisë po i mban anën Rusis pushtuese”, këtë deklaratë bomb ka bërë Ish-ministri i jashtëm dhe deputeti aktual i Partisë Demokratike, Tritan Shehu. Sipas tij strategjia që po përdorë maxhoranca parlamentare është duke kaluar në rend të dytë lajmet për Ukrainën dhe për pasoj censuruar këtë ngjarje.
Shënimi i plotë i deputetit Tritan Shehu
Kuvendi i Shqipërisë, pjesë e ‘territ’ informativ, që Rusia kërkon të krijojë ndaj agresionit. Strategjia informative e Rusisë është që lajmet për Ukrainën të kalojnë gradualisht nga ‘faqja e parë në të dytën, të tretën…’ deri sa ai agresion i tipit nazi-fashist të mund të vazhdojë i mjegulluar!
Kësaj taktike po i kundërvihet e gjithë bota demokratike. Duke filluar kjo nga deklaratat e admirueshme të Presidentit Biden, të liderëve të tjerë botërorë. Të debateve të vazhdueshme në parlamentet e mediat demokratike kudo në Botë.
Vetëm në Shqipëri heshtet…në fakt më keq!
Maxhoranca parlamentare, por dhe me ndonjë komplisitet më të gjerë, ka vendosur Parlamentin nën censurë…duke reflektur kjo edhe mbi ambientet mediatike.
Asnjë fjalë nuk lejohet në seancë plenare për çfare po ndodh në Ukrainë, krimet monstruoze që po kryhen atje.
Çdo gjë kërkohet të konsiderohet e mbyllur me miratimin e asaj Rezolute gjysmake të paraqitur nga ajo maxhorancë, asgjë më shumë!!
Veçanërisht nuk lejohet të diskutohet, debatohet e konkludohet për pasojat e rrezikshme të atij agresioni në Rajonin tonë.
Për problemet e rreziqet që na sjell roli i Serbisë në këtë kontekst, si i vetmi vend në Europë (pervec Bjellorusise), të kthyer në një ‘kordon umbilikal’ për Rusinë.
Prandaj nuk u votua ne Konferencën e Kryetareve qe te vendoset në rend të ditës Mocioni me rezolute i yni për këtë çështje, duke u mbështetur aty vetëm nga Z. Mediu!
U urdhëruan më tej dhe deputetet e maxhorancës nëpërmjet Kryetares së Komisionit të Jashtëm, që të votonin kundër hapjes së atij debati në plenare!
Frikë e madhe e maxhorancës nga një debat i tillë, aq sa kështu në kundërshtim të plotë edhe me Rregulloren u censurua ai diskutim në seancë.
Në një kohë që dhe vetë Komisioni i Jashtëm është i paralizuar, duke diskutuar vetëm ndonjë marrëveshje për ‘krimbat e detit’, pa krijuar asnjë mundësi diskutimesh të vërteta politike aty.
Po kështu një tjetër Rezolutë për Kosovën, që mori ‘dritën jeshile’ nga ajo konferencë, më tej u zhduk nga rendi i ditës në mënyre misterioze; si për çudi edhe autorët e saj po heshtin për këtë!
Pra qartësisht këtu kemi të bëjmë me një strategji të mazhorancës për të evituar çdo diskutim në Kuvend dhe në Komisionin e Jashtëm mbi agresionin rus në Ukrainë, rreziqet e mëdha të tij për paqen e demokracinë në tërësi, për Rajonin tonë e Kosovën në veçanti.
Strategji kjo qe bie ndesh me interesat tona si vend si komb e si Rajon, hapësira ku ne duhet e mund të kemi një rol aktiv.
Strategji kjo që fatkeqësisht bie ndesh dhe me strategjinë e Botës demokratike e interesat e paqes e stabilitetit në tërësi.
Strategji kjo që çuditshëm sinkronizon me atë të agresorit rus, por dhe të Serbisë, e cila së fundmi po i shton fort ‘dozat’ e saj në mbështetje të Rusisë.