Kuvendi kërkesë kreut të Autoritetit të Dosjeve: Publiko emrat e ish-sigurimsave që janë pjesë e administratës publike

Debati për gjetjen e dosjes së përndjekjes së Filip Talos, ku mendohet se ndodhet dhe procesverbali me firmën e personave që e kanë spiunuar për arratisjen jashtë vendit, tensionoi situatën politike në mbyllje të sesionit parlamentar.

Qytetari në fjalë ka kërkuar informacione mbi përndjekjen që i është bërë nga Sigurimi i Shtetit, ndërsa ajo që u interpretua më pas me inicialet I.M. ishte debati që e lidhte me ish-Presidentin. Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Genta Sula, kërkoi ndryshime ligjore, ndërkohë që nisur nga ky rast, Kuvendi përmes një rezolute i kërkon Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të bëjë publike listën e ish sigurimsave të shtetit.

“Kuvendi kërkon që Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për vitin 2022 të angazhohet në këto drejtime: që të publikojë në faqen zyrtare online të Autoritetit, për aq sa lejohet nga kuadri ligjor, listën e individëve që kanë rezultuar si bashkëpunëtorë të ish Sigurimit të Shtetit dhe që janë pjesë e administratës publike”, thuhet në rezolutën për vlerësimin e Autoritet të Dosjeve.

Kuvendi vlerëson veprimtarinë e Autoritetit për Informimin për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të garantuar realizimin e një procesi të rregullt ligjor, në funksion të identifikimit dhe rikuperimit të trupave të atyre që u zhdukën ose u ekzekutuan gjatë komunizmit.

Gjithashtu në rezolutë përmendet:
“Përshkallëzimi i veprimtarisë së Autoritetit me zhvillimin e tryezave ndërinstitucionale në lidhje me hartimin e akteve nënligjore që do të përcaktojnë autoritetet përgjegjëse dhe mënyra e mbrojtjes dhe ruajtjes së vendvarrimeve të identifikuara ose të dyshuara. Gjithashtu, Kuvendi kërkon që Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për vitin 2022 të angazhohet në këto drejtime: Të vijojë angazhimin për hartimin e draftit të aktit nënligjor, i cili do të përcaktojë autoritetet përgjegjëse dhe mënyrën e mbrojtjes dhe ruajtjes së vendvarrimeve të identifikuara ose të dyshuara duke dhënë kontribut në përcaktimin e detyrave të AIDSSH-së në këtë proces, por edhe më gjerë, në kuadër të bashkëpunimit me institucionet e tjera shtetërore qendrore dhe vendore.

Autoritetit të dosjeve i kërkohet që të vijojë përpjekjet për dorëzimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit nga Arkivi i Sistemit të Ministrisë së Brendshme, në kuadër të bashkëpunimit dhe bashkërendimit të punës me autoritetet publike dhe arkivat për zbatimin e detyrimeve ligjore. Të intensifikojë bashkëpunimet me institucionet qeveritare për qartësimin e fatit të të zhdukurve në komunizëm, në komunikimin me familjet, grupet e interesit, pushtetin lokal, organizatat ndërkombëtare. Të intensifikojë punën për deklasifikimin e dosjeve, duke përjashtuar ato që cenojnë sigurinë kombëtare dhe të vijojë me digjitalizimin e tyre”.

REZOLUTA E KUVENDIT PËR VEPRIMTARINË E AUTORITETIT TË DOSJEVE

Kuvendi kërkon që Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për vitin 2022 të angazhohet në këto drejtime:

Të vijojë angazhimin për hartimin e draftit të aktit nënligjor, i cili do të përcaktojë autoritetet përgjegjëse dhe mënyrën e mbrojtjes dhe ruajtjes së vendvarrimeve të identifikuara ose të dyshuara, duke dhënë kontribut në përcaktimin e detyrave të AIDSSH- së në këtë proces, por edhe më gjerë, në kuadër të bashkëpunimit me institucionet e tjera shtetërore qendrore dhe vendore;

Të vijojë përpjekjet për dorëzimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit nga Arkivi i Sistemit të Ministrisë së Brendshme, në kuadër të bashkëpunimit dhe bashkërendimit të punës me autoritetet publike dhe arkivat për zbatimin e detyrimeve ligjore’

Të intensifikojë bashkëpunimet me institucionet qeveritare për qartësimin e fatit të të zhdukurve në komunizëm, në komunikimin me familjet, grupet e interesit, pushtetin lokal, organizatat ndërkombëtare;

Të bëjë funksional sistemin e arkivit digjital për lehtësim të procesit të kërkimit dhe konsultimit me dokumentet arkivore sipas standardeve ndërkombëtare;

Të bashkëpunojë ngushtë me ISKK-në sa i takon shfrytëzimit të dokumentacionit arkivor sipas parashikimeve ligjore, me qëllim garantimin e mundësisë për shqyrtimin e dokumenteve nga ana e studiuesve, duke mbështetur kërkimin shkencor gjatë rishqyrtimit historik të veprimtarisë së ish-Sigurimit të Shtetit;

Të intensifikojë bashkëpunimin me institucione homologe të huaja, me qëllim përthithjen e eksperiencave më të mira nga veprimtaria e tyre;

Të intensifikojë punën për deklasifikimin e dosjeve, duke përjashtuar ato që cenojnë sigurinë kombëtare dhe të vijojë me digjitalizimin e tyre;

Të publikojë në faqen zyrtare online të Autoritetit, për aq sa lejohet nga kuadri ligjor, listën e individëve që kanë rezultuar si bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit dhe që janë pjesë e administratës publike./Panorama

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *