Kuvendi ka miratuar ngritjen e Komisionit Hetimor, pas nismës së procedurave për shkarkimin e presidentit Meta. Pak çaste më parë, Parlamenti ka miratuar ngritjen e Komisionit Hetimor, për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese të kreut të shtetit Ilir Meta. Ky projektvendim i propozuar nga Komisioni i Ligjeve mori 97 vota pro, 6 kundër dhe 1 abstenim.
Nëntë deputetë do të përbëjnë Komisionin që do të hetojë Metën për shkeljet që pretendohet se janë kryer para dhe gjatë fushatës elektorale. Kryetar do të jetë deputeti socialist Alket Hyseni, ndërsa zëvendëskryetar Myslim Murrizi i opozitës. Deputetja socialiste Klotilda Busha do të jetë sekretare e Komisionit Hetimor. Ndërkohë do të jenë edhe 6 anëtarë të tjerë të cilët janë deputetët Vasilika Hysi, Elena Xhina, Spartak Braho, Halil Jakimi, Nikolin Staka dhe Arlind Çaçani.
Për zëvendësim janë përcaktuar 3 deputetë të tjerë: Ermonela Felaj, Xhemal Qefaliaj dhe Eugen Bojaxhiu. Këta deputetë do të hetojnë presidentin, dhe në fund do të miratojnë një raport nëse ekzistojnë shkaqe për shkarkimin e Metës.