Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi është shprehur se përtej 4200 firmave që pretendon Sali Berisha, ai është shprehur se në bazë të informacioneve që ia jep detyra, ka arritur të mësojë se shumica dërrmuese e anëtarëve do të jenë në Kuvendin e 18 dhjetorit.
Bardhi ka deklaruar për Report.tv së nëse çdo hap i ndërmarrë nga Berisha do të ishte i rregullt ai nuk kishte përse ti fshihte firmat në kasafortë.
Fjala e Bardhit:
“Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike ka 7646 anëtarë me mandat të përhershëm, lista është dinamike dhe mandatet prodhohen nga sekretariati i partisë, kam bindjen e thellë dhe sipas raportimeve që na kanë ardhur nga secila degë do të marrin pjesë shumica dërrmuese e anëtarëve, pastaj për shifra apo për numra dhe firma që mbahen në kasafortë edhe nuk i vihen në dispozicion strukturave të partisë, nuk preferoj të komentoj. Cilido prej nesh mund të dalë në mëngjes dhe të thotë kam 4200 firma, në darkë 5000 pastaj të nesërmen të thotë kam 6000 dhe mos u habisni nëse deri në datën 11 të thonë kemi mbledhur 8000, por kjo nuk e bën proces dhe lëvizje serioze, madje është një fyerje për të gjithë ata që kanë besuar në lëvizjen e zotit Berisha. Nëse ata kanë besuar dhe kanë kërkuan në rrugë zyrtare thirrjen e Kuvendit, nënshtrimet e tyre, thirrjet e tyre, apeli i tyre, mendimi i tyre nuk mund të mbyllet në kasafortë, por do të duhet të ishte ndjekur rruga statutore për thirrjen e Kuvendit Kombëtar kur kërkuan këto anëtarë, cilido të ishte numri i tyre”, tha Bardhi.