Në qeverinë e re të Kosovës, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit është zgjedhur Hajrulla Çeku. Ai e ka marrë postin e rëndësishëm dy ditë më parë. Pas emërimit në këtë pozitë, Çeku ka bërë një postim në llogarinë e tij në ‘Facebook’ ku ka publikuar fotografinë e gjithë kabinetit qeveritar.
“Albin Kurti, kryeministër i Kosovës. Na priftë e mbara dhe dalshim faqebardhë”, ka shkruar ai.
Emri i Hajrulla Çekut nuk është i panjohur për Shqipërinë. Para tre vitesh ai ka qenë i emëruar në qeverinë Rama, ku ka mbajtur postin e zv.ministrit në Ministrinë e Turizmit dhe të Mjedisit nga viti 2017 deri në vitin 2018. Më pas, Çeku dha dorëheqjen.
Largimin e tij ai e argumentoi me faktin se priste të bëhej baba. “Pas një periudhe shumë të gjatë përpjekjesh dhe mundimesh, Eli dhe unë jemi të lumtur që më në fund kemi nisur rrugëtimin tonë për t’u bërë prindër, një nga qëllimet dhe dëshirat tona jetësore. Deri në këtë pikë kemi arritur me shumë sakrificë dhe të dy jemi tërësisht të përkushtuar që ëndrrën tonë për t’u bërë me fëmijë ta jetësojmë me sukses”, ka shkruar Çeku.
Më tej ai falendëronte kryeministrin Rama për mundësinë që i është dhënë për të qenë pjesë e ekipit qeveritar.
“Për këtë shkak, duke u mbështetur në mirëkuptimin dhe përkrahjen e tij, nga Kryeministri Rama kam kërkuar të më lirojë nga detyra e zëvendës ministrit të Turizmit dhe Mjedisit në qeverinë e Shqipërisë. Këta 13 muaj në Shqipëri kanë qenë përvoja më fantastike e angazhimit tim profesional dhe publik”, theksonte Çeku.