Kastriot Myftaraj
Shteti shqiptar bleu përsëri familjarë të xhihadistëve, me paratë e Katarit
Këto ditë shteti shqiptar ka blerë për herë të katërt familjarë të xhihadistëve shqiptarë të vrarë në Siri, si dhe bij të xhihadistëve të huaj të rimartuar me femra shqiptare në Siri. Blerja, e quajtur lirim është bërë me me sponsorizim të Katarit, duke i paguar para me anë të ndërmjetësve mafien lokale që kontrollon kampet e refugjatëve në Sirinë Veriore.Këtë herë janë blerë katër gra dhe nëntë fëmijë.
Kurdët e Sirisë Veriore të cilët kontrollojnë kampet ku gjenden familjarët e xhihadistëve të ISIS janë shndërruar në tregtarë të qënieve njerëzore, duke shitur njerëz kundrejt pagesës. Çmimi shkon nga njëqind mijë deri në një milion euro për person. Pagesa është më e lartë kur për blerjen e njerëzve janë të interesuar autoritete të larta shtetërore të vendeve të interesuar. I tillë është rasti i Shqipërisë që e ka bërë lirimin e familjarëve të xhihadistëve çështje të rëndësishme shtetërore.
Në korrik të vitit të kaluar kryeministri Edi Rama bëri një vizitë të bujshme në Liban, vend kufitar me Sirinë, i shoqëruar nga Ministri i Punëve të Brendshme Bledi Çuçi dhe drejtori i Antiterrorit Gledis Nano, sot drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Qëllimi i vizitës ishte që të nxirreshin nga kampet në Siri sa më shumë gra dhe fëmijë të xhihadistëve të vrarë shqiptarë të ISIS, të cilët xhihadistë në fakt nuk e quanin veten fare shqiptarë, por thjesht muslimanë.
Me këtë rast vetë Edi Rama na dha lajmin nga Libani se nga kampet në Siri ishin nxjerrë pesë gra dhe katërmbëdhjetë fëmijë. Ky ishte operacioni i tretë për të nxjerrë njerëz me pagesë nga kampet siriane.
As kryeministri Rama, as ndonjë ministër i tij nuk kanë shkuar kurrë të vizitojnë azilantët nga Shqipëria të cilët gjenden nëpër kampet në vendet e Bashkimit Europian. Që do të thotë se Qeveria “Rama” interesohet më shumë për gratë dhe fëmijët e xhihadistëve të ISIS se për shtetasit shqiptarë që kanë shkuar në vendet e Bashkimit Europian si emigrantë.
Para se Rama të shkonte në Liban, në një operacion tjetër, ose më saktë në një blerje tjetër, nga kampet siriane ishin nxjerrë gruaja dhe fëmijët e kryexhihadistit kosovar Lavdërim Muhaxheri të cilët u sollën në Shqipëri për “riintegrim”. Më herët, në një operacion të ngjashëm në Liban kishte qenë një tjetër Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Shumica e fëmijëve të sjellë në Shqipëri kanë si prindër xhihadistë të huaj, pasi nënat e tyre janë rimartuar si ritualit islamik gjatë kohës që kanë qenë në Siri.
Është bërë zyrtarisht e ditur se do të ketë edhe operacione të tjerë për lirimin e familjarëve të mbetur të xhihadistëve të vrarë. Me sa duket çdo ditë zbulohen gra dhe fëmijë të tjerë të tyre.
Nuk mund të mos bëhet pyetja se cili është qëllimi i qendrave të interesuara në botën arabe të cilat paguajnë kaq shumë para për të sjellë në Shqipëri familjarët e xhihadistëve. Duke parë se femrat e ardhura në Shqipëri me këto operacione shpëtimi janë të gjitha të mbuluara me ferexhe kuptohet se ato janë të radikalizuara islamikisht. Kështu i kanë edukuar dhe fëmijët e tyre. Këto femra dhe fëmijët e tyre do të bëhen misionarë të radikalizimit islamik. Kuptohet se ndaj tyre do të dështojnë përpjekjet deradikalizuese të Agron Sojatit, një ish-oficer këmbësorie i Ushtrisë Komuniste, i larguar nga Drejtoria e Antiterrorit në 2015, për ngacmim seksual të një vartëseje dhe për të cilin amerikanët patën idenë e çuditshme që ta bëjnë njeriun-kyç të projektit të deradikalizimit të islamikëve në kuadrin e luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Është konstatuar se çdo familjar xhihadisti është në gjendje të radikalizojë së paku dhjetë vetë brenda një viti kur gjendet në një mjedis ku mund të bëjë propagandë. Dhe ky shkon si një proces zinxhir pasi çdo i radikalizuar prej tij përfton një tjetër si veten e kështu me radhë.
Është e qartë se po investohet për të rritur numrin e radikalëve islamikë në Shqipëri dhe në këtë ka bashkëpunim të shtetit shqiptar.
Ministri i Brendshëm Blendi Çuçi e shpjegoi arsyen përse shteti shqiptar është përzier në këtë histori. Këtë shpjegim e dha kur falenderoi SHBA që bëri të mundur realizimin e këtij operacioni. Pra kemi të bëjmë me një interes amerikan. Arsyeja? Qendrat e fuqishme arabe kanë lobuar në Washington me petrodollarë që familjarët e xhihadistëve të vijnë në Shqipëri. Pasojat do t’ i shohim më vonë.