Armando Broja ka zgjedhur një mënyrë ndryshe për t’u relaksuar dhe lënë pas krahëve të gjithë zërat e ditëve të fundit rreth të ardhmes së tij. Ndërsa në mediat angleze spekulohet vazhdimisht mbi qëndrimin te Çelsi apo jo, sulmuesi i përfaqësues shqiptare ka vendosur që të mërkurën në darkë ta kalojë duke qenë një nga të ftuarit e nderit të premierës së filmit të fundit të Brad Pit.
I kthyer në Londër zyrtarisht për shkak të një dëmtimi të pësuar në fazën përgatitore në SHBA, Broja është shfaqur mbrëmë në Londër në tapetin e kuq të vendosur në “Leicester Square” për premierën e filmit “Bullet Train” në Angli, me aktorin e famshëm të Hollivudit i cili ishte padyshim i pranishëm. Ashtu si Bred Pit dhe yjet që kaluan në tapetin e kuq, edhe Broja pozoi para fotografëve dhe fansave të shumtë që kishin ardhur për të parë nga afër yjet jo vetëm të botës së kinematografisë që ishin të pranishëm.
Si për ironi të fatit, po në këtë eveniment ishte i pranishëm edhe ai i cili mund të bëhet shumë shpejt partneri i tij i sulmit në edicionin e ri, Mikail Antonio. Sulmuesi 32-vjeçar i Uest Hem, klubit që kërkon me ngulm të blejë Brojën, ishte një nga emrat e njohur në prezantimin e këtij filmi në Londër.