Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak shprehet se javën e shkuar në takimin e kryenegociatorëve të të dyja vendeve ka pasur pajtim për hapa konkretë në disa çështje praktike, por se jo edhe në kornizën e gjerë – atë të implementimit të Marrëveshjes në Rrugën drejt normalizimit.
Duke lajmëruar që ka nisur një vizitë në Londër, Lajçaku të hënën në mbrëmje ka shkruar se javën që shkoi ka organizuar takim në nivel kryenegociatorësh. “Pas më shumë se shtatë orësh diskutimesh intensive, u pajtuam në hapat konkretë në disa çështje praktike.
Fatkeqësisht, s’ia kemi dalë të bëjmë përparim në kornizën e gjerë – implementimin e Marrëveshjes në Rrugën drejt normalizimit”, ka shkruar ai në Facebook.