Edhe pse dukej se ‘fryma’ e opozitës së Kosovës për planin evropian dhe për marrëdhëniet me Serbinë nuk ishte premtuese, pas vizitës me paritë kryesore Lajçak shprehu bindjen se marrëveshja me Beogradin është pranë. I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas përfundimit të takimeve me opozitarët në Kosovë është shprehur optimist, pavarësisht se së fundmi kritikat për planin evropian nga këta të fundit kanë qenë të mëdha.
Në ditën e dytë të vizitës së tij në Prishtinë, këtë të premte, zyrtari i lartë ka takuar kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, atë të aleancës së për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe në fund kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Pas takimeve me opozitën, Lajçak foli për mediat rreth shqetësimit se partitë opozitare nuk do të ratifikojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë kur të arrin në Kuvendin e Kosovës.
“Mendoj se është e rëndësishme në këtë pikë për mua të takohem me partitë opozitare dhe unë takova PDK-në dhe LDK-në dhe i informova për procesin për pritshmëritë e komunitetin internacional, ata shpjeguan pozicionet e tyre e tyre partiake, pra është gjithçka përgatitje e takimit të 18 marsit”.
“Është gjithashtu e rëndësishme që ta dëgjojnë nga unë ata dhe jo vetëm nga mediat ose parlamenti. Dhe për mua takimi e ka përmbushur qëllimin”, tha Lajçak.
Gjatë ditës së djeshme ai ka takuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Vizita e Lajçakut në Prishtinë dhe Beograd pason takimin e 27 shkurtit, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e pranuan planin evropian për normalizimin e raporteve. Bartësit e dialogut, po ashtu, u shprehën të gatshëm të punojnë në planin për zbatimin e këtij propozimi.