Janë lënë në burg, Edmond Haxhia, dhe tre britanikët të cilët u arrestuar në Londër, lidhur me organizimin dhe vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulak, më 19 prill në lokalin e tij në Shëngjin.
Edmond Haxhia, 37 vjeç, Steven Hunt, 49 vjeç, Thomas Mathin, 35 vjeç, dhe vajza Harriet Bridgeman akuzohen se kanë organizuar, mbajtur në vëzhgim dhe më pas ekzekutuar 51-vjeçarin Nikulaj, ndërsa në kërkim vijojnë të mbeten vrasësi Ruben Saraiva dhe anglezi me 27 rekorde kriminale Harry Simson. Motivi kryesor i kësaj vrasje, zyrtarisht u tha se është bërë për gjakmarrje, mes fisit Nikulaj dhe Lekstakaj.
Ndërkohë mediat britanike kanë zbuluar detaje të reja lidhur me këtë ekzekutim. Duke cituar policinë, ata theksojnë se vrasja erdhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mbi 80,000 £ (paund) mes dy familjeve. Megjithatë nuk shpjegohet se si kjo shumë parash është bërë konflikt mes dy familjeve.
Pas masave të paraburgimit, tashmë nis beteja ligjore, dhe kërkesat për ekstradimin e tyre në vendin tonë, për tu përballur me akuzat. Sipas ligjit, Shqipëria ka 45 ditë kohë, që të dërgojë kërkesën në Britaninë e Madhe për të kryer ekstradimin, ndërsa gjykatës britanike do t’i duhen disa muaj të vendosë nëse do të pranojë apo jo. Nga ana tjetër, Drejtësia britanike ka kërkuar nga prokuroria shqiptare provat që kanë në dorë për 4 shtetasit e tyre. Sa i përket palës shqiptare, dokumentet janë në Prokurori të Përgjithshme dhe po bëhen gati për t’i nisur drejt Britanisë.
Prova kryesore e palës shqiptare, janë ato filmike, që tregojnë të gjitha lëvizjet e autorëve, që nga mbërritja në aeroportin e Rinasit, takimet për organizimin e atentatit, momentin e vrasjes, dhe deri në largimin e tyre nga Shqipëria. Rëndësi të veçantë kanë për hetuesit gjurmët biologjike të AND-së, të lënë nga autorët e dyshuar.