Lajmi se klubi i Barcelonës, në kohën kur Bartomeu ishte president i ka paguar 1.4 milionë euro ish-arbitrit, Jose Maria Enriquez Negreira, bëri shumë bujë. Joan Laporta përmendi se nuk është rastësi që e gjithë kjo tashmë ka dalë në dritë, se “blaugranët” po shkojnë shumë mirë në ligë.
“Nuk është rastësi që ky lloj informacioni ka dalë në dritë tani që Barcelona po ecën mirë. Nuk është rastësi. Nisur nga informacionet e publikuara, duhet përmendur se Barcelona në të kaluarën ka punësuar konsulentë të jashtëm për raportet teknike për lojtarët në divizionet më të ulëta në Spanjë. Përveç kësaj, të njëjtët konsulentë dhanë këshilla për arbitrazh, gjë që është krejt normale në klubet e mëdha. Në fakt, sot këtë shërbim që i përket departamentit të futbollit e kemi integruar në organikën tonë”, tha fillimisht ai dhe vazhdoi: “Lajmi po merr vëmendje dhe nuk është rastësi që ka dalë në këtë moment. Nga këndvështrimi i Barcelonës, çdo interpretim keqdashës, provokues që nënkupton gjëra që nuk janë të vërteta do të marrë një përgjigje përkatëse dhe të përshtatshme nga klubi. Ne do të marrim të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur nderin dhe interesat e Barcelonës”.