Kancelarja gjermane Angela Merkel nderohet sot gjatë një ceremonie lamtumire në oborrin e jashtëm të Ministrisë së Mbrojtjes.
Sipas traditës, kancelari zgjedh 3 këngë për ceremoninë, ndër të cilat Merkel zgjedh një këngë të Nina Hagen, një figurë e njohur e muzikës ‘Punk’ e viteve 1980. Ashtu si këngëtarja, Merkel ka lindur dhe është rritur në Gjermaninë Lindore, një periudhë për te cilën ajo rrallë flet në publik.
Kënga e zgjedhur nga kancelarja e titulluar “Ke harruar filmin me ngjyra” mund të jetë një surprizë për shumë njerëz – por ka qenë hit i Gjermanisë Lindore kënduar nga rockerja Nina Hagen.
Edhe pse nuk u censurua nga qeveria, kënga u cilësua një kritikë ndaj Republikës Demokratike Gjermane, ku filmi me ngjyra ishte diçka e rrallë.
Dy këngët e para të zgjedhura nga Merkel janë Himni i krishterë i shekullit të 18-të “Zot i Shenjtë, Ne Lavdërojmë Emrin Tënd” dhe e dyta është kënga popullore e këngëtares gjermane Hildegard Knef “Për Mua duhet të bien shumë trëndafila të kuq”.
E ashtuquajtura “Großer Zapfenstreich” është ceremonia më e lartë ushtarake në Gjermani ku ushtarët performojnë muzikë dhe marshojnë. Për shkak të pandemisë numri i pjesëmarrësve do të jetë i kufizuar, të pranishëm do të jenë 200 të ftuar.
Pasardhësi i Merkel, Olaf Scholz pritet të betohet si kancelar i Gjermanisë javën e ardhshme.
Pas 16 vitesh në pushtet në Gjermani nis epoka post Merkel e cila do të mbahet mend një grua e fortë dhe e vendosur e cila la gjurmë në historinë e botës.
/Priza.al/