Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë konferencës për shtyp që po zhvillon, është pyetur në lidhje me largimin e mjekëve dhe infermierëve drejt Gjermanisë, ku tha se ky nuk është një fenomen i izoluar vetëm për Shqipërinë. Sipas ministres lëvizja e lirë e mjekëve ka prekur të gjitha vendet e rajonit, madje edhe Britaninë e Madhe.
Sipas ministres, fakti që shumë mjekë largohen ga vendi, sjell efektin pozitiv që shumë të tjerë punësohen në sistemin shëndetësor në vend.
“Lëvizja e lirë e mjekëve nuk është vetëm një fenomen i izoluar për Shqipërinë por për të gjitha vendet e Rajonit në masë. Përballja me këtë fenomen është një betejë e përditshme. Është një punë e përditshme në shumë drejtime. Janë mbi 1800 kuotat e specializimeve të hapura pranë fakultetit të mjekësisë dhe janë të gjithë specialistë që do të atashohen pranë specializimit të sistemit tonë shëndetësore. Kemi rritur me 100 kuotat e pranimeve në fakultetin e mjekësisë dhe infermierisë si dhe kemi vijuar me rritjen e pagave. Edhe Britania e Madhe është prekur nga lëvizja e mjekëve” – u shpreh Manastriliu.
Vetëm dy muaj më parë u publikua një raport i Qendrës për Studime Sociale dhe Ekonomike, sipas të cilit gati 92% e studentëve të Mjekësisë kanë shprehur dëshirën për t’u larguar nga vendi. Ministria është shprehur se punohet për të rritur nivelin e pagave të mjekëve dhe infermierëve dhe kushtet në spitale, në mënyrë që të mos favorizohet largimi i tyre.