“Largimi i të rinjve, plagë e madhe sociale”/ Meta: Shkarkimi? S’ka çështje në ‘Venecia’

Teksa pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e shkarkimit të presidentit, për të cilin është votuar në Kuvend, Ilir Meta ka folur nga Pogradeci në lidhje me këtë, aty ku ka marrë pjesë në “Mëngjesin e Lutjeve”. Presidenti Ilir Meta thotë se nuk egziston asnjë çështje në Komsionin e Venecias për të, por është një çështje politike dhe se nuk është i shqetësuar. Meta tha se është krenar për gjithë veprimtarinë e tij për mbrojtjen e Kushtetutës.

‘Nuk egziston asnjë çështje në Venecia për Presidentin. Ajo është çështje politike. Nuk jam i shqetësuar, jam krenar për gjithë veprimtarinë time në mbrojtjen e kushtetutës. E cila është sulmuar në mënyrën më armiqësore, për të pasur sot një situatë aspak të dëshirueshme. Negociatat tashmë duhet  të ishin hapur, në rast se do dëgjohej presidenti mbi zgjidhet vendore apo gjykatën kushtetuese. Presim një vendim të gjykatës kushtetuese për zgjedhjet vendore, në pikpamjen e time është një çështje e qartë.’- tha Meta.

Ndërkohë i pyetur në lidhje me ‘Foltoren’ e Sali Berishës, Meta nuk pranoi që të komentojë, por shtoi se duhen debate në funksion të demokracisë.

‘Nuk dua të komentoj zhvillimet e brendshme në asnjë forcë politike, duhet të kenë debatet e tyre në respektim të demokracisë dhe normave kushtetuese. Siç e keni kuptuar demokracia në këto 3 dekada ka uljet e ngritje e saj edhe brenda grupimeve politike.’- tha Meta.

Sakaq sa i përket një bashkëpunim mes Ramës dhe Bashës, Meta tha se ato mjafton që të respektojnë kushtetutën dhe parimet demokracisë.

‘Nuk dua të bëhem pjesë e këtyre debateve, ato janë çështje të tyre mjaftojnë të respektojnë kushtetutën dhe parimet demokratike.’- u shpreh Meta.

Teksa u pyet në lidhje me dobësimin e opozitës në vend, Presidenti Meta tha se nuk ka përpjekje në botë që të realizojë një skenar të zi për të lënë Shqipërinë pa opozitë, skenar që sipas tij po luhet prej vitesh.

‘Jam i bindur se nuk ka përpjekje në botë që të realizojë skenar të zi për të lënë Shqipërinë pa opozitë, skenar që luhet prej vitesh. Shqiptarët nuk do pranojnë kurrë të kthehen në modele të cilat nuk i takojnë kontinetit tonë. Shqiptarët kanë potencial të jashtëzakonshëm për të ecur përpara.’– tha Meta.

Sa i takon vendimit të SPAK për t’i kaluar çështjen e patronazhistëve Prokurorisë së Tiranës, presidenti Ilir Meta  tha se ai i qëndron vlerësimeve të Transparency International dhe nuk jam i zhgënjyer nga çdo lloj lajmi tjetër.

‘I qëndroj vlerësimeve të Transparency International dhe nuk jam i zhgënjyer nga çdo lloj lajmi tjetër.’- tha Meta.

Gjatë fjalës së tij kreu i shtetit theksoi se një ndër plagët që po vuan sot Shqipëria është largimi i të rinjve nga vendi, ndërsa nënvizoi faktin se demokracia garanton një shoqëri të drejtë dhe të begatë.

“Janë vlerat ato që do të na ndihmojnë për të kapërcyer vështirësitë aktuale dhje për të ndërtuar një shoqëri më të qëndrueshme dhe njerëzore. Teksa ndodhemi në Pogradec kujtojmë edhe fjalët e të madhit Lasgush Poradeci: Të gjithë marrin jetë prej flakës që ndrin”. Janë këto vlera që do të na ndrijnë të ardhmen. Në fund të fundit të rinjtë tanë mund të ikin kudo në të gjithë botës dhe mund të gjejnë të mira materiale, por atdhe nuk gjejnë dot. Ai është këtu! Procesi i integrimit të vendit në BE kërkon që të kemi demokraci më të madhe institucionale, një shtet të së drejtës, ku respektohen të drejtat individuale dhe ku ruhet pasuria njerëzore. Vendi ynë po përballet me sfidën më të madh të largimit të rinisë, kjo është plagë e madhe sociale dhe është sfidë serioze për të ardhmen e vendit.

 Të rinjve do t’ju duhet t’ju ofrojmë më shumë shpresë dhe të arsimuarve vende pune, për të sjellë progres për vendin tonë. Vlerat e demokracisë janë udhërrëfyes për vendin tonë. Vendimmarrje gjithëpërfshirëse, dhe drejtësi shoqërore, pasi ‘ka të ardhme dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet’, thuhet te fjalët e urat. Sa i takon debatit, ‘mendimi i ri, truri i ri’ dua t’ju kujtojë se ne në Shqipëri kemi pasur përvojën e ‘njeriut të ri’ që na la pasojën katastrofike. 

Në fund të fjalës së tij Meta tha:

“Sa i takon debatit për lidershipin, do theksoja se lidershipi në radhë të parë kërkon kurajo, karakter, moral dhe forcë. S’mund të ushtrohet lehtësisht nga kushdo. Cilësia e parë për një lider është se nuk duhet të ketë frikë nga ndryshimi dhe se duhet të ndjekë rrugën e ndryshimit. S’duhet të ndjekë ndryshimin, por të bëjë shumicën drejt ndryshimit, t’i bindë ata. Kam dhe një lutje që e kam përzemër, pasi kemi përvoja të tjera. këtë e kam për të gjithë ju dhe ata që vuajnë shumë në luftën e tyre të përditshme për çështje të drejta; Zoti i bekoftë vuajtjet e të gjithë njerëzve që luftojnë për të drejtat, pasi kjo i shërben të gjithëve!”, pohoi Meta.

Gjykata Kushtetuese nuk ka caktuar ende një datë për nisjen e shqyrtimit të ligjshmërisë së vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Më 9 qershor të këtij viti, Parlamenti shkarkoi nga detyra presidentin Ilir Meta për shkeljen e 20 neneve të Kushtetutës, provokimin e cenimit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nxitje dhune dhe urrejtje, njëanshmëri në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021 etj.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *