Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha se Moska “nuk do të harrojë dhe nuk do të falë” mosdhënien e vizave amerikane për gazetarët rusë që pritej ta shoqëronin atë në udhëtimin në New York ku do të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Dhe ajo që është më e rëndësishmja, jini të sigurt, nuk do të harrojmë, nuk do të falim”, tha Lavrov në një deklaratë të dielën, të ndarë nga zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova përpara se të nisej për në SHBA.
Lavrov tha se është i vetëdijshëm se zyrtarët amerikanë njihen për veprime të tilla, por se këtë herë situata do të ishte ndryshe duke marrë parasysh “vëmendjen që ka tërhequr sjellja e tyre e turpshme”.
“Por gabova. Vendi që e quan veten si më i fortë, më i zgjuari, më i liri dhe më i drejti, humbi nervat e tij dhe, jam i sigurt, e bëri budallallëkun duke demonstruar se çfarë nënkuptojnë në të vërtetë rrëfimet e tyre për lirinë e fjalës dhe qasjen në informacione”, shtoi ai.
Bota do të ndjekë me kujdes deklaratat e Rusisë në takimet e ardhshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, potencoi gjithashtu Lavrov.
“Ne gjithashtu do të duhet të punojmë për ju (gazetarët rusë) dhe të tregojmë më shumë energji, të ushtrojmë më shumë forcë për të përcjellë të vërtetën te komuniteti botëror”, tha ai.
Në një deklaratë të mëvonshme, Zakharova tha se Lavrov mbërriti në New York, duke shtuar se takimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të mbahet nën kryesimin e tij.
Rusia, një nga pesë anëtarët e përhershëm të 15 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me të drejtë vetoje, mori presidencën e radhës të trupit të OKB-së më 1 prill mes zemërimit dhe kritikave nga Ukraina dhe aleatët e saj.