Deputeti i opozitës parlamentare, Lefter Maliqi, ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme, ndërsa akuzoi PS se ka manipuluar zgjedhjet e 25 prillit. Në një komunikim me mediat, Lefter Maliqi deklaroi se fitorja e Partisë Socialiste u arrit nga krimi dhe vjedhja. Ai apeloi ndaj opozitës, që të mos i njohë zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa ka theksuar se i kanë të gjitha provat për manipulimet që janë bërë. Tejet i revoltuar, Maliqi tha se zgjedhjet e 25 prillit nuk do të njihen, pasi janë krim i mirëfilltë elektoral. Ai iu drejtua opozitës së bashkuar, që të bëhet çdo rinumërim i kutive, ndërsa sipas tij, janë kapur makina me ushqime, listë votuesish, ka përgjime të shumta, edhe fletë të pavlefshme.
“Oligarkët, krimin, bandat, kapjen dhe përdorimin e policisë. Dua të them që me datë 26 në mbrëmje, kreu i mafies dhe Rilindjes doli i qeshur për të festuar fitoren, duke iu lutur Zotit. Por në fakt fitorja erdhi nga bandat.
Kjo qeveri kriminale, në bashkëpunim me bandat, duke përdorur makinat e Policisë së Shtetit, evidentuan në mënyrë masive me patronazhistët e tyre spiunë, të gjithë mbështetësit, votuesit e LSI dhe synimi i tyre ishte të godisnin sa më pak PD dhe të godisnin LSI. Por megjithatë, LSI mbijetoi me 108 mijë vota.
Këto zgjedhje nuk do të njihen, sepse ishin krim i mirëfilltë elektoral. I bëj thirrje opozitës së bashkuar, të bëhet çdo rinumërim i kutive, sepse e dinë që masakra zgjedhore ishte para dhe gjatë procesit të numërimit. U kapën makina me ushqime, liste votuesish, janë përgjime të shumta, përgjime të shumta, edhe fletë të pavlefshme.
Vrasës me pagesë, të tmerrshëm, në Kuçovë dhe Berat u përdorën nga PD, votime skandaloze, nuk ishin parë ndonjëherë. I gjithë ky gëzim në heshtje e PS se na del nga Vlora si triumfator. Jam i bindur që opozita me provat që po mbledh. Ky nuk ikën pa revolucion demokrat. Opozita po kërkon zgjedhje të parakohshme në vjeshtën e ardhshme. Nuk blihet e ardhmja e shqiptarit. Jemi de facto në diktaturë, milionat e këtyre deputetëve të PS dhe ministrave, janë të shumta, për të bërë edhe 10 mijë apartamente.
Janë fakte që janë blerë vota. Thirrja ime është e qartë, zgjedhje të parakohshme, duhen kërkuar zgjedhje pa Edi Ramën kryeministër, nëse opozita pranon Ramën kryeministër, është gjëja më e keqe që ndodh. U pa i gjithë organizimi i opozitës që bllokonin makina. U godit pak PD, por u godit shumë LSI sepse ajo do sillte fitoren.
Krimi sot po sundon vendin, shihni në Berat, Kuçovë, shihni njerëz kriminelë se sa vila kanë krijuar. OFL, më keni dëgjuar se jam anëtari i Komisionit të Sigurisë, e njoh në mënyrë të përpiktë skemën e krimit.
Ne duam të jemi si Evropa dhe Amerika, të pritet verdikti i OSBE/OHDIR. Krim elektoral. Verifikoni ç’ka ndodhur në porte, aeroporte, Muriqan. Duhen zgjedhje. Të ngrihet populli, të mos njihen zgjedhjet dhe të kërkohen zgjedhje të parakohshme”, tha Maliqi.