Legalizimi i kanabisit/ Deputeti i PD: “Në Shqipëri do të thotë t’i varësh ujkut mëlçitë në qafë”

Deputeti i PD-së Tritan Shehu deklaron se projektligji i qeverisë për legalizimin e kanabisit është një vazhdim ky i politikave të kanabizimit të Shqipërisë, të filluar që me 2014.

Në një postim në “Facebook”, një ditë pas publikimit të draftit, Shehu deklaron se në Shqipëri ku shteti është i kriminalizuar, kjo do të thotë “t’i varësh ujkut mëlçitë në qafë”.

Sipas tij, deputetët e Shqipërisë nuk mund e nuk duhet të bëhen pjesë e një loje të tillë anti shkencore, me pasoja të thella negative, kriminale për vendin tonë.

POSTIMI I PLOTË:

Qeveria Rama e Kanabisit, legalizon “Republikën e Kanabisit”!
Rama kërkon të “turbullojë” mendjet e shqiptarëve duke i ofruar kanabis!
Ky është një alarm për të gjithë ata, që i duan veçanërisht fëmijët e të rinjtë pa drogë, me shëndet fizik e mendor normal, që mbrojnë Jetën vetë.
Për të gjithë ata, që duan një Shqipëri pa “tym” në “qiell” e pa “pluhur të bardhë”, në shkolla, qytete e qendra banimi.
Për të gjithë ata, që aspirojnë një Shqipëri të pa dominuar nga grupet kriminale.
Legalizimi dje i kanabisit, dmth i grupeve kriminale të drogës, nën një “dekor” pornografie ka qenë lajtmotivi i mbledhjes së qeverisë.
Një vazhdim ky i politikave të kanabizimit të Shqipërisë, të filluar që me 2014.
Është i tillë projekt ligjit i të ashtuquajturit “Për përdorimin mjekësor e industrial të kanabisit”, i miratuar dje nga qeveria sepse:
1- Kanabisi ka përdorim tejet kufizuar mjekësor, eksperimental, mbas përpunimit, në fazat terminale të tumoreve, të HIV dhe sklerozën multiple.
2- Shqipëria nuk ka të tilla kapacitete eksperimentale e përpunuese të kanabisit, e tregu botëror është shumë i kufizuar.
Italia prodhon sasi të vogla për kërkime shkencore, nën kontrollin e ushtrisë.
3- Pra përfitimi ekonomik me këtë “kanabis” mjekësor për ne është zero, gjë që e provoi dhe MV, ku degradoi drejt përdorimit si drogë e për trafiqe.
4- Të pranosh Ramën kur thotë se “Kanabisi mjekësor” do teë ndalojë përdorimin si drogë të tij dhe veprimtaritë kriminale, është fantashkencë.
Në Shqipëri ku shteti është i kriminalizuar, kjo do të thotë “t’i varësh ujkut mëlçitë në qafë”.
Deputetët e Shqipërisë nuk mund e nuk duhet të bëhen pjesë e një loje të tillë anti shkencore, me pasoja të thella negative, kriminale për vendin tonë.
Dua të kujtoj se miratimi i këtij ligji kërkon të goditet “Kodi penal” pra votim të cilësuar, gjë që jo vetëm opozita në tërësi, por dhe shumë kolegë të maxhorancës nuk besoj se do t’ia lejojnë vetes!


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *