Një vendim i ri i qeverisë së Luksemburgut lejon të gjithë qytetarët e rritur aty që të mund të mbajnë deri në katër bimë kanabisi në shtëpitë ose kopshtet e tyre.
Ligji i ri do ta bëjë Luksemburgun vendin e parë në Evropë që legalizon prodhimin dhe konsumimin e drogës. Qeveria tha se do të sillte ndryshime thelbësore në qasjen e vendit ndaj përdorimit dhe kultivimit të kanabisit, pas dështimit të ndalimit për të frenuar përdorimin e tij.
Sipas legjislacionit, njerëzit e moshës 18 vjeç e lart do të jenë në gjendje të rritin ligjërisht deri në katër bimë kanabisi për familje për përdorim personal. Tregtimi i farave do të lejohet gjithashtu pa asnjë kufizim në sasinë ose nivelet e Tetrahydrocannabinol (THC), përbërësi kryesor psikoaktiv. Qeveria tha se do të ishte e mundur për qytetarët të blinin fara në dyqane, t’i importonin ato ose t’i blinin në internet.
Uruguai u bë vendi i parë në botë që krijoi një treg kombëtar legal të marihuanës, në vitin 2013 dhe Kanadaja ndoqi shembullin në 2018. Në Holandë, ndoshta vendi europian me qëndrimin më të qetë ndaj përdorimit të kanabisit, posedimi dhe tregtimi i tij është teknikisht i paligjshëm. Holanda ka një ‘politikë tolerance’, ose “gedoogbeleid”, sipas së cilës përdorimi pranohet kryesisht brenda kufijve.
/Burimi: The Guardian/